E Diel, 1 Nëntor 2026

Afër Rugovës

Të qenit afër Ibrahim Rugovës, për disa vjet më radhë, ia ka mundësuar Adnan Merovcit ta njohë ish presidentin e Kosovës më mirë se shumë të tjerë. Kujtimet e tij, rrëfimet autentike, dokumentet origjinale dhe fotografi të shumta Merovci i ka përmbledhur në librin ‘Në hap me Rugovën’.

Njeriu që për shumë vite i kishte qëndruar afër ish presidentit Ibrahim Rugova është rikthyer serish në skenë. Jo në skenën politike por në atë letrare, pasi që ka botuar një libër voluminoz me rrëfime autentike, ilustrime të rugovizmit, transkripte nga takime të rëndësishme, dokumente origjinale dhe fotografi ekskluzive.

Është Adnan Merovci, autori që vjen me librin e tij të titulluar “Në hap me Rugovën”, libër ky që u promovua të hënën në Hotel Grand në Prishtinë. Në sallën e mbushur plot të këtij hoteli, midis të tjerëve të pranishëm qenë edhe dy djemtë dhe vajza e ish presidentit Rugova.

I pari që foli për librin e Merovcit qe shkrimtari dhe recensenti i librit Arif Demolli, i cili evokoi kujtime nga koha kur ishte formuar Lidhja Demokratike e Kosovës dhe kur në lokalet e Lidhjes së Shkrimtarëve mbaheshin takimet me kryetarin Rugova.

“Për ne që në vitet “90 e kalonim një pjesë të ditës në lokalet e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, kush duke u marrë me veprimtari politike, kush letrare, kush me të dyja së bashku, ishte e zakonshme që dr. Ibrahim Rugovën ta shihnim çdo ditë nga afër, duke hyrë në zyrën e tij të vogël me shoqëruesin e tij të përhershëm, zotin Adnan Merovcin. Kryetarin Rugova e njihnim të gjithë, por Adnani na dukej njeri misterioz”, u shpreh Demolli. Ai shtoi se kur mbyllej dera e kryetarit, vetëm Adnani mund ta hapte dhe ta mbyllte atë. Sipas Demollit, Merovci ishte ura lidhëse midis kryetarit dhe të gjithë të tjerëve. Në këtë mënyrë, Demolli tha se shpeshherë bëhej kureshtar për të ditur se çfarë bënte Rugova në atë zyrë, çka bisedonte me bashkëpunëtorët e tij, çka u thoshte delegacioneve të huaja dhe çka i thoshin ata atij.

“Kureshtja u shtua edhe më shumë pasi ai u bë së shpejti simbol i lëvizjes për pavarësi dhe demokraci, u bë lideri ynë, u bë personi për të cilin besohej se i dinte të gjitha: çka bëhej dhe çka do të bëhej, u bë shpresa e një populli të robëruar”, theksoi Demolli.

Si letrar që është, Demolli shtoi se nuk mund të krijonte mite, madje as kryetarit Rugova nuk mund t’ia vishte breroren e profetit, por tha se nuk kishte se si të mos mrekullohej me guximin e tij të jashtëzakonshëm për të marrë përgjegjësinë e liderit në momentin më të vështirë historik të popullit shqiptar të Kosovës.

Ndërsa, duke folur për librin, Demolli theksoi se libri i Merovcit jo vetëm na e çel atë derë misterioze të zyrës së vogël të kryetarit Rugova, por na zbulon edhe shumë të panjohura edhe nga udhëtimet e tij, nga takimet me figurat më të shquara të botës etj.

Për Demollin këto kujtime kanë një vlerë të veçantë sidomos në atë pjesë ku rrëfimi i tij bëhet më i personalizuar, më i njomë dhe më njerëzor.

Për gazetarin dhe publicistin Halil Matoshi, libri ‘Në hap me Rugovën’ i Adnan Merovcit është një libër kujtese krejt personale për Presidentin historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovën, përmes të cilit autori na thotë se si ai e ka kuptuar Rugovën dhe qysh ai e ka lexuar Rugovizmin – si një doktrinë etike dhe politike. Ai tregoi se libri ndahet në katër pamje: për veten dhe raportin me Rugovën; për Rugovën si qytetar dhe lider politik; për miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij dhe pjesa e fundit që përmban fotografi dhe dokumente për Rugovën.

“Me shkrue saktë dhe paanshëm për Rugovën asht nji punë e zorshme, me e lavdue me pietet, kundërshtarët e tij të bien në qafë, me shkrue objektivisht, për naj cen të tij, adhuruesit të këqyrin gemt. E Merovci nuk shkruen histori, ai dëshmon e duket t’jetë i drejtë, së paku korrekt”, tha Matoshi.

Sipas tij, Rugova në nismë me lehtësi e rrezatim, e ma vonë me ngërçe e molisje, e bëri punën e tij, e themeloi Kosovën moderne dhe iku duke na lënë të vetmen armë solide për t’u mbrojtur nga zvetënimi, refuzimin estetik kundrejt shëmtisë, smirës, mujshisë egërshane dhe padijes.

“’Zot falna njohjen’ ishte psalm dhe lutja e tij e përditshme. Krejt lufta dhe flijimi i tij ishte vetënjohje e njohje. Ia doli të mbetët humanist i papërmirësueshëm – dhe këtë përpiqet ta thotë në këtë libër edhe Merovci. Madje sipas tij ‘nuk do të ngopemi duke e njohtë Rugovën’”, theksoi Matoshi.

Duke e shpjeguar ballinën e librit, në të cilën janë të paraqitur në një hap ish presidenti Rugova dhe autori Merovci, gazetari Baton Haxhiu tha se nëse mund ta shpjegojmë hapin e tij me Rugovën atëherë pushteti i tij ka qenë i afërt me pushtetin moral që presidenti Rugova e kishte mbi dy milionë shqiptarë të Kosovës. ai shtoi se ky libër dallon prej librave të tjerë që janë shkruar për Rugovën.

“Ky libër, të cilin e lexova me një frymë, dallon prej gjithë librave tjerë për një arsye se gjithmonë flasin për rugovizmin, se gjithmonë e interpretojnë rugovizmin, se gjithmonë shkruajnë për doktrinën rugoviste dhe për atë që Halili pak më herët e tha se kryetari nuk mundi ta përjetojë pavarësinë. Por një gjë tash e tutje ata që shkruajnë libra nuk mund ta bëjnë. Nuk mund të shkruhet për të gjitha ato pa e lexuar librin e Adnanit”, tha Haxhiu.

Vetë autori i librit nuk foli shumë. Ai vetëm i falënderoi të pranishmit dhe tha se atë që ka dashur ta thotë e ka thënë në libër. Mirëpo, duke folur për Express, Merovci e shpjegoi arsyen pse e shkroi këtë libër.

“Kryesisht kanë qenë dy grupmosha të njerëzve që më kanë motivuar, për të mos thënë më kanë detyruar, për ta shkruar këtë libër. Këta janë njerëzit që nuk e kanë takuar Rugovën dhe të ashtuquajtur nga ai ‘gjenerata e Republikës’ dhe bashkëkohësit e tij, që mendoj nuk janë fërkuar mjaftueshëm me idenë, me maniret e tij, me zakonet e tij dhe qëllimi ka qenë që këto unë t’i ofroj përmes rrëfimit autentik dhe ilustrimeve që i kam quajtur të rugovizmit, mbi 140 lustrime ashtu që të tjerët t’i zbërthejnë ato duke i lexuar e duke i analizuar”, tha Merovci. Ai shtoi se Rugova ka qenë i urtë, por nuk ka qenë njeri i butë, ka qenë i mençur dhe më tepër ka qenë filozof, nuk ka qenë menaxher, por ka qenë një njeri që kurrë nuk e ka hequr nga mendja idenë apo bindjen se do ta arrijë pavarësinë.

Ai tregoi se njëra prej shprehjeve që Rugova e ka përdorur më së shumti ka qenë ‘Ne jemi këtu’ dhe kjo është edhe moto e këtij libri. Madje kjo moto ka mundur shumë lehtë të jetë edhe titull i këtij libri.

“Ky libër shumë lirshëm ka mundur ta ketë titullin ‘Ne jemi këtu’ se ka qenë fjalë e shpeshtë e Rugovës”, tha Merovci.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›