E Shtunë, 31 Tetor 2026

Verë e Pafund e Oceana’s

Pop soul diva Oceana është autore dhe interpretuese e – tashmë -himnit zyrtar të Kampionatit Evropian në Futboll, që mbahet në Ukrainë dhe Poloni.

Nuk dihet nëse është rastësi apo jo, por janë pikërisht këto dy shtete ku Oceana ka numrin më të madh të adhuruesve. Që para tri viteve ajo radhitej e para në top-listat polake. Me gjasë, tani do ta përsërisë këtë gjë, sepse himni i ri i Kampionatit Evropian në Futboll “Endless Summer” (Verë e Pafund) muajve të ardhshëm do të dëgjohet në çdo hap.

“‘Endless Summer’ është një kompozim që do të duhej t’ju bartë dhe t’ju transmetoj disponimin veror. Do të duhej t’ju lëvizë dhe të krijojë një atmosferë të mirë”, thotë pop ylli i ri gjerman, popullariteti i së cilës po rritet nga viti në vit, jo vetëm në Gjermani.

Sipas traditës, për himn zgjidhet një kompozim dinamik veror, P i cili me energjinë e vetë do të “nxeh” atmosferën nëpër stadiume.

“Në këngë punuam bukur gjatë”, tregon Oceana, sipas së cilës deri te versioni përfundimtar “janë nevojitur disa mijëra versione të saj”.

popullariteti i Oceana’s, edhe pse ende nuk ka arritur kulminacionin, sigurisht që ka ndikuar në vendimin e organizatorëve të kampionatit.

Ndryshe, Oceana tekstet i shkruan vetë. Si hiti i saj më i madh konsiderohet kënga “Cry Cry” (Qaj, Qaj). Oceana, në fakt, nuk është një interpretuese këngët e së cilës i dominojnë top-listat. Megjithatë, për yllin 31-vjeçe nga Hamburgu është dëgjuar gati në të gjitha anët e botës.

Oceana është lindur dhe rritur në qytetin port të Gjermanisë. Në skenë u dashurua kur ishte 11-vjeçe. Ndikimin më të madh në këtë e kishte familja e saj, sepse gjithnjë e vlerësonte kreativitetin. Nëna e Oceana’s është dizajnere e modës, babai muzicient dhe DJ, me prejardhje nga Karaibet. Me gjasë, atij duhet t’i falënderohet për ‘ekzoticizmin’ e saj.

Ndërkohë, Oceana tashmë është edhe vetë nënë. Falë djalit të saj, Jalal Maximilian, ajo zbuloi edhe futbollin.

“Meqë tani kamë një fëmijë, i cili me zgjon çdo mëngjes për të luajtur futboll me të, e gjithë kjo është bërë pjesë e jetës sime. Përfshirë këtu edhe luajtjen e përditshme të futbollit. Mbase s’më besoni, por për çdo ditë po luaj mirë e më mirë”, thotë Oceana për DW.

Sipas traditës, një himn zyrtar i kampionatit të futbollit duhet të interpretohet ‘live’ gjatë kohës së fillimit të garës. Kjo për Oceana’n nuk është problem. Pohon që mezi pret ta ngris në këmbë masën e njerëzve në stadiumin e Kievit, por edhe miliona shikues para ekraneve televizive. Dhe, natyrisht, shpreson që kënga “Endless Summer” do të shndërrohet në një hit mbarëbotëror.

“Ajo që më fascinon në futboll është që ai i bashkon njerëzit. Pavarësisht prejardhjes, pavarësisht asaj se nga vijnë, të gjithë njerëzit emocionohet tejmase kur ekipi i tyre shënon gol. Edhe unë muzikën e përjetoj njësoj – sepse edhe ajo i bashkon njerëzit”, përfundon Oceana.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›