Afganistan, vriten 28 talebanë nga luftimet për territore

Zyrtarët në Afganistan kanë deklaruar se forcat e koalicionit dhe forcat afgane kanë rimarrë kontrollin në një zonë rurale në verilindje të vendit, pas luftimeve të ashpra ku vdiqën 28 talebanë.
Guvernatori i Nuristanit, Xhamaludin Badër, ka thënë se talebanët kishin marrë nën kontroll pjesët perëndimore të qarkut të Do Ab, në këtë krahinë që gjendet në kufi me Pakistanin. Ata ishin kërcënuar se do ta merrnin nën kontroll tërë rajonin.
Ministria e Mbrojtjes ka thënë se forcat afgane janë lëshuar nga helikopteri që të luftojnë për rimarrjen e kësaj zone “dhe pa asnjë vonesë kanë pastruar qarkun” nga militantët.
Zëdhënësi i forcave të NATO-s, ka thënë se operacioni ka qenë i kombinuar, që përbëhej nga ekipet ajrore të huaja dhe forcat tokësore.