Afrika e Jugut kënaqet, por Meksika ia prish festën
Nëse dita e bukur shikohet që në mëngjes, të bësh parashikime rreth këtij Botërori do të jetë një iniciativë gjysmë e pamundur. Afrika e Jugut 2010 nis me një barazim mes kombëtares së shtëpisë dhe Meksikës, i fiksuar në fundin e një ndeshjeje e karakterizuar nga dy anët e medaljes. Skuadra meksikane dominon pjesën e parë, ajo afrikane zgjohet në pjesën e dytë. Dhe në fund janë pikërisht “Bafana Bafana” (“Djemtë” në zulu) ata që kanë ankesat më të shumta për këtë barazim 1-1 që hapi grupin A. Mjaftojnë vetëm pak minuta për të vlerësuar kualitetin e Meksikës, që në miqësore kishte mundur Italinë: teknikë e mirë e individualiteteve, pasa të shpejtë dhe ide të qarta. Talenti Xhovani dos Santos ndezi “turbon” dhe ishte rreziku kryesor për mbrojtjen e “Bafana Bafana”. Kombëtarja e Parreirës e nisi ndeshjen me këmbën në frena, ndoshta për shkak të emocioneve, ndaj ajo e Aguirres duket se mundet të bëjë çfarë të dojë në fushë. Meksikanët depërtojnë, sidomos në të djathtë, ku Torrado e Xhovani mbështetet nga avancimet e vazhdueshme të Aguilar. Krijojnë raste, por nuk shënojnë dot. Më pas Afrika e Jugut e merr veten dhe ndeshja bëhet më e ekuilibruar. Krosi i Tshabala për pak nuk gjen kokën e Mphelas, duke humbur kështu një rast të mirë. Në pjesën e dytë ndryshon muzika. Afrikanët vuajnë më pak dhe kundërsulmojnë shpejt derisa gjejnë golin në minutën e 55: kros për Tshabala, që lëshon një të majtë “qorre”, por që ndalet në trekëndëshin e portës së Perez. Një gol që ka ndryshuar ndeshjen dhe ka galvanizuar “Bafana Bafana”-t. Xhovani ka vënë në provë Kuhnen me një gjuajtje të mrekullueshme, por portieri afrikan nuk lejon të preket rrjeta, Më pas është Afrika e Jugut që ka disa shanse për të dyfishuar. Meksika vazhdon të pyesë, se si ka mundësi, që një ndeshje e dominuar të kthehet papritmas kundër saj. Aguirre provon gjithçka, duke hedhur në fushë edhe talentet Hernandez e Guardado. Dhe shpërblehet falë një gabimi në aplikimin e pozicionit jashtë loje nga mbrojtja afrikanojugore, që i lejon Guardados të gjejë Markezin e lirë para Khunes. Lojtari i Barcelonës e ka të lehtë të shënojë golin e barazimit që nuk do të ndryshojë më deri në fund. Vendasit bëjnë disa tentativa të tjera dhe rrezikojnë të gjejnë golin me Mphela, i cili godet shtyllën. Por festa e afrikanëve është prishur.
#