E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maradona: Mesi, bëj si unë, ta ndërtojmë bashkë ëndrrën

I ledhaton yjet e tij Diego Armando Maradona, trajneri i Argjentinës, njërës nga “big”-ët e botërorit që do të debutojë sot ndaj Nigerisë. Në veçanti ai ka shpenzuar fjalë të bukura për Lionel Mesin, i cili do të jetë një nga të monitoruarit special të turneut, për të parë nëse “pleshti” do të dijë të imitojë veprën e trajnerit të tij, i aftë të udhëheqë seleksionin drejt triumfit në Meksika ’86 dhe për Karlos Tevez, një prej lojtarëve kryesorë të merkatos, i kërkuar nga klubet e mëdha europiane.

Urimi special – “Do të isha i lumtur nëse Leo do të kishte atë impakt që kisha unë më 1986-n. Ai duhet të jetë qershia mbi tortë, nënvizon tekniku i Argjentinës. Me gjithë zemër i uroj Leos të jetë protagonisti absolut dhe të shndërrohet në lojtarin më të mirë të të gjitha kohërave”. Maradona nuk preferon të zbërthejë 11-shen që do të zbresë sot, edhe pse lë të nënkuptohet se nuk do të ketë surpriza. “E vetmja surprizë do të ishte, nëse do të luaja vetë në fushë”, përgjigjet ai.

Tevez, një idhull – Maradona ka lënë të kuptohet se Karlos Tevez do të jetë pjesë e 11-shes titullare sot. “Karlitos nuk mund të qëndrojë jashtë kësaj skuadre. Tevez është idhull i popullit, si Mesi ose më shumë se unë”, tha ai. Gjatë eliminatoreve ishte e privilegjuar dyshja Mesi-Higuain, që bashkë me Tevezin do të formojnë modulin 4-3-3. është e mundur që Argjentina të debutojë sot në Johanesburg me: Romero; Jonas, Demiçelis, Samuel, Haince; Veron, Maskerano, Di Maria; Mesi, Higuain e Tevez.

Alternativa klasi – Diego, i kritikuar gjatë eliminatoreve, tani po e “shijon shumë” aventurën në pankinën e Kombëtares: “është shumë bukur, sepse nuk e di cila skuadër tjetër ka 23 lojtarë, të gjithë të aftë të zbresin në fushë. Jemi mjaft të qetë dhe krenarë. E di që kam në dispozicion alternativa të ndryshme: mbi të gjitha e di që kam një skuadër elastike. Lojtarët e mi kanë vullnet të madh, kanë gjithçka që u duhet për të interpretuar një ndeshje. Grupi është mirë, ka vetëbesim dhe e di çfarë kërkon. Shpresojmë që sot të mund të ndërtojmë ëndrrën tonë për të fituar Botërorin. Jam krenar që jam trajner i Argjentinës”.

I ngjashmi Maskerano – Te lojtarët që ka në dispozicion, Maradona e identifikon veten në veçanti me regjistin Havier Makerano. “Ai më ngjan më shumë mua në atë që kam jetuar dhe eksperimentuar para Botërorit 1986. Si lojtar isha shumë nervoz, tani e jetoj këtë situatë me qetësinë më të madhe. Tani përgjegjësitë janë më të mëdha sesa kur luaja, por jam i bindur që 23 lojtarët që kam, kanë shpirt dhe forcë. Do të ishte e vështirë të gjeja më të mirë. Besoj te lojtarët që kam në dispozicion, vdes për atë që më japin në stërvitje, për mënyrën se si e ndiejnë bluzën dhe për atë që ndien populli argjentinas”, rrëfen trajneri.

I sulmon të gjithë – Më pas Maradona jep shou: sulmon direkt Pelen e Guardiolën, sulmon indirekt Dungën dhe FIFA-n. Për Pelen: “Pas atentatit ndaj Togos, gjatë Kupës së Afrikës, ai ‘morocho’ (njeriu me ngjyrë), që luante me bluzën me numrin 10, tha sa botërori nuk duhej zhvilluar në Afrikë. Pas dy ditësh erdhi këtu dhe tha se jepte të gjithë mbështetjen e tij”. Për Guardiolën: “Në këtë sezon ai i ka kursyer Ksavin dhe Injestën, por kurrë Mesin, prandaj ai është i lodhur”. Për Dungën: “Bregu i Fildishtë dhe Portugalia mund ta bezdisin Brazilin, por Brazili është Brazil dhe me dy gjuajtje në portë mund të fitojë”. Ndërsa ka edhe për FIFA-n dhe gjyqtarët: “Shpresoj që ‘fair-play’ të mos jetë vetëm një gjë sipërfaqësore, me fëmijë që valëvisin flamuj. Shpresoj që gjyqtarët dhe FIFA të dërgojnë në tribunë ata që nuk duan të luajnë dhe në fushë ata që dëshirojnë të luajnë”, çka nënkupton Mesin.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›