E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nisi!

Botërori

Botërori 2010 në Afrikën e Jugut ka nisur nën shenjen e trishtimit. Gjatë natës së të enjtes, stërmbesa 13-vjeçare e liderit historik të luftës kundër aparteidit, Nelson Mandela, humbi jetën në një aksident automobilistik, në momentin kur po kthehej nga pjesa e parë e koncertit që hapi aktivitetin. Në shenjë zie, ish-presidenti i Afrikës së Jugut anuloi pjesëmarrjen e parashikuar në ndeshjen e parë të turneut, ndërmjet përfaqësueses së vendit organizator dhe Meksikës.

Megjithatë, tragjedia nuk mund të ndalonte spektaklin, i cili ka filluar në orën 14.10 me ceremoninë e hapjes së Kupës së Botës në stadiumin “Soccer City” të Johanesburgut, ku të pranishëm ishin krerët e 20 shteteve. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Moon, ka qëndruar pranë Presidentit të Afrikës së Jugut, Jakob Zuma, presidentit të FIFA-s, Sep Blater, dhe shumë kryetarëve të shteteve afrikane. Mes të ftuarve ishte edhe Felipe Kalderon, Presidenti i Meksikës, i cili ka mbështetur nga afër skuadrën e drejtuar nga Aguirre. Në tribuna ndodheshin edhe presidentët e Zimbabvesë dhe Kenias, Robert Mugabe e Mvai Kibaki. Nuk kishte si të mungonte as zv.presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xho Bajdën, i shoqëruar nga bashkëshortja Xhil, të cilët sot do të jenë të pranishëm në stadiumin “Royal Bafokeng” të Rustenburgut, në sfidën e parë të përfaqësueses amerikane kundër Anglisë. Në Afrikën e Jugut ka zbarkuar edhe Presidenti i Ganës, Xhon Ata Mills, ndërsa Kryeministri i Zelandës së Re, Xhon Kej, e ka ndjekur ceremoninë në shtëpi, nëpërmjet televizorit. Por, ai ka bërë të ditur se do të jetë i pranishëm në ndeshjen që përfaqësuesja e “të bardhëve” do të zhvillojë më 20 qershor përballë Italisë, kampiones së botës në fuqi. Mungonte edhe Presidenti i Brazilit, Luiz Inacio Lula, i cili do të udhëtojë drejt Afrikës së Jugut më 8 korrik. Data e përzgjedhur për mbërritjen e tij, nuk është e rastësishme: në finale do të bëhet edhe dorëzimi nga Afrika e Jugut te vendi amerikanojugor, i cili do të organizojë Kupën e Botës në vitin 2014.

Në ekranin e madh të stadiumit “Soccer City” u shfaq një fotografi e madhe e Mandelës, e cila u shoqërua me duartrokitje nga publiku i pranishëm. Rreth 1500 figurantë paraqitën me kërcime dhe këngë traditat e Afrikës. Gjatë spektaklit u kujtua edhe këngëtarja Miriam Makeba, një prej ikonave të muzikës afrikane. Mes artistëve të shumtë që ngritën peshë atmosferën, ishin edhe algjeriani Khaled dhe një prej muzikantëve të trumbës më të mëdhenj që jetojnë, afrikanojugori Huxh Masekela. Mes shkëlqimit të kostumeve gjithë ngjyra dhe entuziazmit të publikut që festonte, në arenë u paraqitën edhe flamujt e 32 skuadrave që marrin pjesë në turne. Në çastet e para të ceremonisë u ekspozuan edhe një flotë avionësh reaktivë të ushtrisë, ndërsa zhurma e “vuvuzela”-ve, trumbat tipike afrikanojugore, kanë shoqëruar të gjithë ceremoninë. Pas një pushimi të shkurtër, i nevojshëm për të përgatitur fushën e lojës, festa i ka lënë hapësirë aktivitetit dhe ndeshjes së parë ndërmjet Afrikës së Jugut dhe Meksikës, e cila u mbyll në barazim 1-1.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›