Afrikë e Jugut, policia vret 30 minatorë grevistë
Më shumë se 30 minatorë janë vrarë në një minierë platini në Afrikën e Jugut, kur policia tentoi ta shpërbëjë turmën që po protestonte, të pajisur me shkopinj dhe hanxharë, lidhur me kushtet e punës.
Raportet flasin për rreth 36 të vdekur, por ministri i policisë, Nati Mthjuthva nuk dha ndonjë shifër precize dhe se njoftoi se është duke u rritur numri i shumë njerëzve të lënduar.
Qindra minatorë kishin vendosur, brenda dy ditëve të fundit, tendat në afërsi të minierës në Rustenburg, me kërkesën për rritje pagash. Greva e rreth 3000 minatorëve kishte filluar më 10 gusht dhe ndër kërkesat e tyre, veç përmirësimit të kushteve të sigurisë në punë, përfshihej edhe rritja e menjëhershme e pagave, duke qenë se rroga e tyre mujore nuk i kalon 400 euro përballë një punë fizike shumë të rëndë.
Minatorët ishin të armatosur me vegla dhe armë të ndryshme, ndërsa refuzuan të shpërndahen pavarësisht urdhrave të policisë.
17 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)
Afrikë e Jugut, policia vret 30 minatorë grevistë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip