Rusi, Pussy Riot shpallen fajtore
Gjykata e Moskës ka deklaruar sot se tri vajzat e grupit punk Pussy Riot janë gjetur fajtore për huliganizëm, të motivuar nga urrejtja fetare.
Nadezhda Tolokonikova, Maria Aliokhina dhe Jekaterina Samutseviç janë gjykuar për shkak të performancës së tyre në Katedralen e Moskës, Shpëtimtari Krisht, kundër sundimit të presidentit Vladimir Putin.
Më 21 shkurt të këtij viti, në katedralen në fjalë ato kanë bërë një, siç e quajnë vetë, falje punk për të përzënë presidentin e ardhur rishtas Vladimir Putin.
Vajzat e Pussy Riot mohojnë të kenë pasur për qëllim fyerjen e besimtarëve, duke thënë se protesta e tyre ishte pjese e një lëvizjeje të gjerë kundër kthimit në Kremlin të presidentit Vladimir Putin.
Tri vajzat ndodheshin në paraburgim që nga muaji mars. Prokurorët kanë kërkuar dënimin prej tre vjetësh heqje lirie, ndërkohë që masa pritet të shqiptohet së shpejti.
Rasti ka shkaktuar një valë reagimesh ndërkombëtare e në të njëjtën kohë, vuri në pah mbështetjen që gëzon grupi i vajzave të reja ruse.
17 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)
Rusi, Pussy Riot shpallen fajtore burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip