E Shtunë, 31 Tetor 2026

Agani-Tavo: Politika të përbashkëta shëndetësore

Kjo u konfirmua nga të dy ministrat respektivë të Shëndetësisë, Vangjel Tavo, dhe Ferid Agani, gjatë një konference të përbashkët për shtyp, mbajtur në Ministrinë e Shëndetësisë, pas takimit mes dy delegacioneve.  

“Bashkëpunimi në fushën e shëndetësisë midis dy vendeve ka qenë shumësektorial, në disa drejtime, por vlen të përmendet marrëveshja e firmosur nga dy ministrat e Shëndetësisë për trajtime të pacientëve të Kosovës në spitalet tona, sidomos në QSUT për disa shërbime të specializuara si shërbimi i kardiologjisë, neurologjisë dhe onkologjisë", theksoi Tavo. 

Gjithashtu, sipas tij, trajtimi i pacientëve shqiptarë, sidomos i urgjencave për qytetarët e Qarkut të Kukësit në spitalet e Gjakovës dhe të Prizrenit, ka qenë një ndihmesë e madhe për këta pacientë që kanë pasur rastin të trajtohen reciprokisht në këto spitale. Si pjesë e bashkëpunimit, bazuar në marrëveshjen midis dy vendeve, janë dhe trajtime, kualifikime të përbashkëta, konferenca e seminare.

Tavo u ndal në fushën e farmaceutikës, duke theksuar se "memorandumi i firmosur në fushën e farmaceutikës ka gjetur një zbatim të suksesshëm, ku është punuar shumë mirë në fushën e legjislacionit, ku janë shkëmbyer informacione të menjëhershme në fushën e farmakovigjilencës, në sektorin e kontrollit të cilësisë së barnave, si dhe specialistët e të dy shërbimeve, të Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Barnave të Shqipërisë dhe Agjencionit të Kosovës për Produkte Medicinale, kanë pasur mundësinë të bëjnë vizita dhe inspektime të përbashkëta në fabrikat prodhuese të medikamenteve në të dy vendet tona". 

Ministri kosovar Agani, duke theksuar se Kosova ka nevojë për Shqipërinë në procesin e reformimit të sistemit shëndetësor, tha se "ky është proces i bashkëpunimit bilatral, dëgjimit të nevojave reciproke, përpjekjes që dhe ne të jemi në dispocion me kapacitet tona prezentë, veçanërisht për pacientët nga zonat kufitare".

Agani hodhi idenë e krijimit të një grupi pune të përbashkët për "dizajnim të politikave të përbashkëta shëndetësore, në mënyrë që shërbimet e kujdesit shëndetësor të nivelit terciar, për të cilat ka nevojë Kosova, të zhvillohet në mënyrë koherente. Po ashtu, sipas Aganit, "të shihet mundësia sesi Kosova të zhvillojë kapacitet profesionale në zona të veçanta kufitare të Pejës, Gjakovës dhe Pirzrenit të nivelit dytësor në shërbim të qytetarëve të zonave kufitare të Shqipërisë. /Start/

                                                                                             2012-09-11 16:39
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›