E Diel, 1 Nëntor 2026

“Agasi ishte veç një mekanizëm”/ Tabaku: Ai mund të zëvendësohet, por skema e korrupsionit vazhdon

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e ka lidhur arrestimin e Ergys Agasit me një sistem më të gjerë politik dhe ekonomik, që sipas saj bashkon paranë e krimit, tenderat publikë, biznesin dhe ndikimin politik.

Në një intervistë për “Këndin e Fundjavës”, Tabaku e ka vendosur përgjegjësinë politike te kryeministri Edi Rama.

Sipas saj, Agasi nuk duhet parë si një rast i veçuar, por si një mekanizëm që lidh interesat e botës së krimit me pushtetin dhe biznesin.

“Ergys Agasi nuk është veçse një nga mekanizmat e këtij sistemi”, u shpreh Tabaku, duke e përshkruar atë si një ndërmjetës mes botës së krimit dhe pushtetit.

Tabaku iu referua materialeve hetimore dhe investigimeve të publikuara, sipas të cilave Agasit i atribuohej ndikim në tenderat e teknologjisë së informacionit, përfshirë përcaktimin e kompanive që do të konkurronin dhe atyre që do të tërhiqeshin nga gara.

“Si mund të vendoste një njeri, nga një zyrë private, për tenderat e shtetit, për drejtorët e administratës dhe për bizneset që duhet të garonin?”, u shpreh ajo.

Deputetja e PD-së e ndau atë që e cilëson si mekanizëm të sistemit në tri kolona: paraja e krimit, ekonomia e kapur dhe ndikimi politik e mediatik.

Sipas saj, kolona e parë lidhet me paratë e paligjshme, të cilat kërkojnë të futen në ekonominë e ligjshme përmes ndërtimeve, pronave dhe shërbimeve, duke synuar më pas edhe përfitimin nga fondet publike.

“Nuk bëhet fjalë vetëm për para që kërkojnë të pastrohen. Bëhet fjalë për para që kërkojnë pushtet”, u shpreh Tabaku.

Kolona e dytë, sipas saj, është ekonomia e privilegjuar, ku një grup biznesesh përfitojnë tendera, koncesione, PPP dhe leje ndërtimi.

Tabaku pretendon se në raste të caktuara konkurrenca nuk është reale dhe se kriteret mund të hartohen në funksion të kompanive të caktuara.

“Fituesi është vendosur përpara se të hapen zarfet”, tha ajo.

Sipas Tabakut, kompanitë e favorizuara përballen më pas me dy lloje detyrimesh: pagesat që lidhen me korrupsionin dhe mbështetjen në fushata zgjedhore.

Në këtë pjesë, ajo iu referua edhe komunikimeve të bëra publike nga dosja e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, duke përmendur mesazhin “Urime PS Përmet!” të dërguar nga Mirel Mërtiri.

“Qeveria jep tenderin. Biznesi fiton paratë publike. Një pjesë e tyre kthehet në ndikim dhe mbështetje elektorale”, u shpreh Tabaku.

Kolona e tretë, sipas saj, lidhet me politikën dhe median. Tabaku bëri dallim mes gazetarëve që hetojnë dhe raportojnë dhe përpjekjeve për të kontrolluar debatin publik.

“Kjo nuk do të thotë se çdo gazetar dhe çdo media është pjesë e skemës”, tha ajo, duke vlerësuar punën e gazetarëve dhe mediave që kanë publikuar hetime dhe fakte.

Tabaku e lidhi korrupsionin me pasojat që, sipas saj, prekin drejtpërdrejt qytetarët.

“Korrupsioni nuk është një koncept abstrakt. Është ilaçi që mungon në spital, shkolla pa kushtet e duhura, rruga që paguhet disa herë më shtrenjtë”, u shpreh deputetja.

Për të, arrestimi i një personi nuk mjafton për të ndryshuar sistemin.

“Mekanizmi mund të zëvendësohet, zyra mund të ndryshojë dhe ndërmjetësi mund të ketë një emër tjetër. Por skema vazhdon”, tha Tabaku.

Ajo e vendosi përgjegjësinë politike te kryeministri Edi Rama dhe kundërshtoi pretendimin se drejtuesit mund të mos kenë dijeni për veprimet e zyrtarëve apo njerëzve pranë tyre.

“Ky sistem është pjella e tij”, u shpreh Tabaku, duke kërkuar që hetimet të mos ndalen te ndërmjetësit, por të shkojnë te personat që, sipas saj, urdhërojnë dhe përfitojnë.

Tabaku kërkoi një sistem ku tenderat të fitohen përmes konkurrencës dhe ku administrata t’i përgjigjet ligjit dhe qytetarëve.

“Shqipëria nuk mund të vazhdojë të jetë e prangosur nga një sistem që ushqehet me taksat tona”, u shpreh deputetja.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›