E Shtunë, 31 Tetor 2026

Agim Qirjaqi i shkruan të bijës

Aktori dhe regjisori në një rrëfim të çlirët me një njeri të shtrenjtë, Dorinën. Idetë e tij për punën në teatër dhe luftën për t'i dhënë vlera jetës. Në fund, dy fragmente nga letërkëmbimi i vitit '93


Në vitet '93-'94, aktori Agim Qirjaqi u largua për herë të parë nga e bija, Dorina 16-vjeçare, që u nis për studime në Itali. Ajo ka lindur në kohën kur Qirjaqi realizonte në Kinostudio filmin televiziv "Dorina" (1979).


Qysh në atë çast, ai vendosi që vajza e tij të mbante emrin e heroinës së filmit.
Dorina, sot 31-vjeçe, jeton me familjen e saj në Itali. Ndihet e trishtuar që nuk ishte e pranishme më 29 gusht në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Durrës, mbrëmjen ku i ati u nderua me Çmimin e Karrierës.


Fjalët që nuk i tha dot në atë ceremoni çmimesh dhe në të tjera të mbajtura pas vdekjes së aktorit, i thotë në këtë intervistë për "Shekulli-n". Ajo ka sjellë me vete edhe tri letra të korrespondencës me të atin gjatë kohës së qëndrimit në Itali.


"Letrat janë po aq interesante sa dorëshkrimet, për të kuptuar njeriun, jetën, personalitetin dhe opinionet e tij për punën. Mua më shkruante me zemër të hapur për çdo gjë", shprehet ajo. Dhe është e vërtetë. Veç mallit, dhembshurisë, këshillave që i jep të bijës, Agim Qirjaqi shkruan edhe për veten, për punën në teatër, në Akademi, për Tiranën e viteve '90-të me imazh të ndryshuar.


Shihet që fjalët i zgjedh me kujdes dhe zënë vend në shpirtin e atij që i lexon. Ai i shkruan "Dorit të tij të shtrenjtë" për trishtimin që sjell largësia, për komunikimin e mangët me telefon, që asnjëherë nuk e zbut mallin, "sidomos me rritjen e tarifave".


"Jeta sot është bërë më e vështirë se çka qenë, por ka edhe një të mirë të madhe: shansin. Ti ke shansin atje, më tepër se të tjerët, të provosh fatin tënd.


Pra, mos e lër të të ikë nga duart", shkruhet në letrën e vitit 1993. Në mes rreshtave, kuptojmë dëshirën e tij për gjallërinë e jetës. E për ta shijuar për të qenë atë, duhet të jesh njeri i pangopur me dije dhe me një vullnet të pashtershëm.


Dorit 16 vjeçe, i thotë shpesh të praktikohet me gjuhët e huaja, të rendë pas studimeve, pa harruar "të shijojë një çikë jetën", të shëtisë me miqtë, të bëjë ski për Krishtlindje, qoftë edhe të shijojë një akullore. I kujton, madje, që "mbyllja dhe izolimi në shtëpi i krijojnë ndjenjën e vetmisë, të frikës, së monotonisë, dhe si rezultat, të neverisë për jetën, vendin dhe njerëzit".


Dhembshuria e pamasë e bën Agim Qirjaqin të jetë i kujdesshëm për detajet, aty edhe për "flokët e prera bukur, ndonëse fotografia është shumë e errët". Të tjera mendime të aktorit dhe regjisorit shihet në dy fragmente letrash të shkëputura më poshtë.


E bija e Qirjaqit tregon si ndihet nga vlerësimet e kohëve të fundit. Pak për idetë personale të Qirjaqit pas realizimit të rolit të tij më të arrirë në filmin "Kolonel Bunker" dhe për bibliotekën kur mbahen të kyçura dorëshkrimet e tij.


Agim Qirjaqi u vlerësua me Çmimin e Karrierës nga Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Durrës. Çfarë do të thotë për ju ky çmim? Edhe pse dihet që trofetë më të denja të punës së tij si aktor dhe regjisor janë veprat që ka lënë

Kam 20 vjet që jetoj në Itali, jam ekonomiste dhe mamaja e dy djemve të mrekullueshëm, në pritje të fëmijës së tretë. Për këtë motiv dhe për probleme të lidhura me punën, nuk isha e pranishme në Durrës për të tërhequr çmimin. Trofeu iu dorëzua një aktori teatri dhe është njësoj, sepse teatri ishte familja dhe dashuria e tij.

Më datë 29 maj të këtij viti, mora pjesë edhe në ceremoninë e ndarjes së çmimeve që u dhanë në Presidencë, ku pata nderin të njoh shumë personalitete dhe mbi të gjithë Presidentin. Isha tepër e emocionuar, pata shumë fjalë të bukura nga të gjithë, po ashtu gjatë funeralit të babait tim.


Tani jam tepër e nderuar për këto homazhe që i drejtohen, sepse kujtoj që dashuria dhe pasioni që babai i dedikoi profesionit gjatë gjithë jetës, janë vlerësuar dhe vlerësohen gjithmonë.


Por, ama më sjellin edhe shumë trishtim në zemrën time, sepse do të doja që të ishte ai vetë t'i gëzonte këto respekte të veçanta. Duke menduar vitet e fundit të kaluara në vetmi dhe i këputur nga sëmundja tragjike që e lëndoi, me siguri që ndihej i braktisur dhe i harruar nga të gjithë.


Më duken të rrethuara me pak hipokrizi gjithë këto çmime, edhe pse jam unë që duhet t'i marr dhe e ndjej veten pak fajtore, sepse nuk e meritoj të gjendem në vend të babait tim dhe të marr frytet e punës së tij.


Do të kisha dëshiruar që shteti shqiptar, shtypi dhe të gjithë personalitetet, që kam takuar pas vdekjes së babait t'i kishin shtrënguar dorën ndonjëherë gjatë periudhës së sëmundjes së tij, kur shkonte përditë te "Kafe Alleanca", i lodhur dhe tepër i avashtë, vetëm për të mos harruar dhe të mos harrohej. Kjo për fat të keq nuk ndodhi.


Unë ndodhem larg prej shumë vitesh, në pamundësi të jem aty për ta kujtuar. Çdo herë që ai nderohet, mbaj në zemër kujtimet e mia më intime dhe më të thella me Gimin, babanë tim të paharruar.


Në nderim të punës së tij, festivali shfaqi dy filma: "Kolonel Bunker" dhe "Dasma e Sakos". Roli i Kolonel Bunker njihet si roli më i plotë, më i arrirë, kulmi i realizimeve të Qirjaqit.


Ai vetë ç'mendonte për këtë rol, si e vlerësonte atë?


Për sa i përket roleve me të cilat punonte, nuk kishim mundësi të bisedonim. Shpesh herë, largësia të detyron të flasësh për gjëra pak më praktike.


Por, realizimin e "Kolonel Bunker" e kujtoj shumë mirë, pasi atë verë u gjenda pikërisht për pushime te babi. Më vuri videokasetën dhe më foli për të. Më kujtohet që ishte krenar dhe plot me ide të bukura në perspektivë për këtë film.


Gjëja më e rëndësishme ishte pasioni për temën që trajtonte filmi në vitet e para të demokracisë në Shqipëri. Të gjithë shqiptarët ishin të dhënë pas politikës dhe ndryshimeve në vendin tonë dhe babi ishte krenar të trajtonte më në fund hapur dhe pa censura argumente të tilla.


Me këtë rast do donim të nxirrnit nga arkiva e Agim Qirjaqit dëshmitë që rrëfejnë idetë dhe konceptet e tij për teatrin dhe kinemanë.


Për sa i përket dorëshkrimeve, kujtimeve dhe shënimeve të tij profesionale, punët dhe biblioteka e babait tim gjenden në shtëpinë që kemi në Tiranë.


Megjithatë, letrat që kemi shkëmbyer gjatë periudhës që kemi qenë larg janë po aq interesante sa dorëshkrimet, për të kuptuar njeriun, jetën, personalitetin dhe opinionet e tij për punën. Mua më shkruante me zemër të hapur për çdo gjë. Ato të ndihmojnë ta njohësh më tepër.


Agim Qirjaqi preferonte të rrinte i tërhequr. Dukej se i pëlqente të kuvendonte gjatë me veten

Unë nuk mendoj që babait tim i pëlqente vetmia, përkundrazi, sidomos në vitet e sëmundjes ai kishte nevojë për ngrohtësinë njerëzore.


Vetmia e viteve të fundit, më është dukur e forcuar jo nga vullneti i tij, por nga indiferenca e shoqërisë së sotme.
Në vitet e para të emigrimit tim në Itali, i shkruanim shpesh njeri-tjetrit për çdo gjë që na rrethonte.


Ai nga letrat e mia arrinte të kuptonte gjendjen shpirtërore dhe nivelin e maturitetit tim. Më jepte këshilla mbi jetën dhe natyrisht më fliste shumë për veten dhe jetën e tij. Po sjell këtu pasazhet e dy letrave të dërguara në vitin 1993 dhe 1994.

10.12.93 Tiranë

E shtrenjta Dori!


...Jeta këtej nga ne ka filluar të ndryshojë nga pak, tregtia po lëviz dhe Tirana po zbukurohet ca nga kafenetë dhe dyqanet moderne që janë hapur me shumicë. Po të hysh në një kafene, të duket sikur je në Itali. Edhe trafiku është shtuar shumë. Ka shumë makina që qarkullojnë, mbase edhe më shumë se në Benevento...Tani diçka për veten time...


Dori! Nuk të kisha shkruar në letrën e parë që jam kapur fort pas teatrit dhe po punoj shumë!


E pra, kjo punë dhe dashuri për teatrin, mu shpërblye dhe për këtë jam i lumtur. Në festivalin e teatrove, bashkë dhe me teatrin e Shkupit dhe Prishtinës, mora dy çmime; njëri si regjisori më i mirë dhe tjetri si aktor në shfaqjen më të mirë të festivalit. I vetmi që mori dy çmime, po të shes pak mend tani, isha unë.


Dhe ta dish se tani çmimet shoqërohen edhe me para, jo shumë, po si fillim nuk është keq. Ky festival do organizohet çdo vit në Tiranë, kështu që ia vlen të punosh dhe të sakrifikosh, për t'u bërë dikush në jetë.


Dje patëm një takim me presidentin në selinë e tij, i cili na priti shumë ngrohtë dhe na përgëzoi, për shfaqjen të cilën pa dhe e pëlqeu shumë. Pra, si të thuash, ky fund i '93-shit, ka qenë i mbarë për ne, si për ty që fillove shkollën, dhe për mua për suksesin në profesionin tim, të cilin e dua shumë dhe për të cilin ia vlen të merresh, se të jep kënaqësi të madhe kur ke sukses, paçka se edhe të bën të vuash.


Tiranë, 11.04.1994
E dashur Dori!


Nga të gjitha gjërat e bukura që shkruaje, më bëri përshtypje sidomos njëra: që ty të ka lindur dëshira për t'u bërë aktore në të ardhmen. Them se është akoma shpejt për të vendosur për një gjë të tillë, ndonëse nuk ka asgjë të keqe që ti ta ëndërrosh një gjë të tillë. Por, lëre ndjenjën të lirë të bëjë të sajën, të piqet vetë, pa marrë vendime të parakohshme.


Në të shumtën e rasteve është fati ai që vendos dhe jo vullneti e dëshira. Po qe se ti vërtet më ke ngjarë mua në këtë drejtim, si dhe në shumë gjëra të tjera, ajo me siguri do të shpërthejë atëherë kur ti s'e pret. Për t'u bërë edhe ti më vonë, 'figlia d'arte' si shumë të tjerë në këtë botë.


Por, tani për tani vazhdo të mësosh siç e ke nisur dhe natyrisht të bësh edhe një çik qejf. Atje ka shumë gjëra që mund t'i shijosh.
Prapë, e dashur Dori, nuk e realizova dot dëshirën të vija në Itali të të takoja, ndonëse isha pranë saj, në Luganë, në liqenin e bukur të saj që ndan kufirin e Zvicrës me Italinë, 40 km larg Milanos.


Është hera e dytë që matem të vij dhe nuk po e realizoj dot. Arsyet janë të njëjta; vizë transiti, rimbursimi i biletës etj... Po them se herën e tretë mund ta realizoj, ndonëse s'ka asgjë të përfunduar. Në datën 27 prill nisem për në Londër me dekanin e fakultetit, për nja dy javë për shkëmbim eksperience midis dy akademive, të Artit Dramatik.


Ka një shans që të bëhet 6 (gjashtë) javë ky qëndrim. Po qe kështu, do kem mundësi kohe të marr një vizë transite italiane në konsullatën italiane në Londër. Kam një parandjenjë që këtë radhë të shihemi vërtet; e treta e vërteta. Të përqafoj e të puth fort! Babi.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›