Jaupllari: Në farmaci nuk shërbejnë profesionistë
Presidenti i Urdhrit të Farmacistëve thekson se në farmaci mungojnë profesionistët. Licencat kanë të bëjnë me tregtinë e jo me profesionin
Në farmaci nuk shërben personel i kualifikuar dhe licenca e tyre nuk jep informacion të detajuar për farmacistin. Madje, edhe personeli që bën licencimin e farmacistëve në Qendrën Kombëtare të Licencimit nuk janë staf i specializuar. Këto janë disa nga problematikat që ngriti dje Presidenti i Urdhrit të Farmacistëve, Arjan Jaupllari, në seminarin me temë "Sigurimi i aksesit ndaj barnave".
Në seminar mori pjesë drejtori i OBSH-së në Shqipëri, Anshu Banerjee, përfaqësues të Bankës Botërore, përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë, Institutit të Sigurive të Kujdesit Shëndetësor dhe aktor të tjerë të sistemit shëndetësor.
Farmacitë
Siguria dhe falsifiteti i barnave duket se nuk është i vetmi problem i sistemit farmaceutik, pasi edhe vetë personeli i këtij sistemi shpesh lë për të dëshiruar. Këtë problem e ngritën dje vetë përfaqësues të institucioneve.
Presidenti i Urdhrit të Farmacistëve, Arjan Jaupllari, thekson se ndodh rëndom që në farmacitë tona të gjesh personel që nuk ka aspak lidhje me profesionin e farmacistit. "Problemi i mungesës së profesionistëve në farmaci është një problem i njohur dhe ne e kemi bërë më dije shpesh", thekson Jaupllari. Ndërkohë, edhe përfaqësues të ISKSH-së pohojnë se ky problem ekziston në farmacitë tona.
"Është e vërtetë që ndodh të shërbejnë farmacist joprofesionist. Kemi pasur kontrolle edhe si institucion dhe kemi ndeshur raste ku në farmaci shërbente burri i farmacistes, i cili ishte oficer", pohojnë përfaqësues të ISKSH-së, duke shtuar se në raste të tilla kanë marrë masa ndëshkimore në pezullim të aktivitetit deri në një vit.
Këto fenomene, sipas tij, duhet të luftohen, duke bashkëpunuar të gjithë institucionet, sepse farmacisti është një hallkë e rëndësishme e sistemit, ndaj dhe nuk duhet të neglizhohet.
Licencat
Licencat që marrin farmacistët janë jashtë standardeve dhe jepen pas asnjë kriter. Kështu u shpreh Presidenti i Urdhrit të Farmacisteve, Arjan Jaupllari, i cili theksoi se licenca nuk jep asnjë informacion për farmacistin.
"Duhet një dokument i detajuar mbi kualifikimin e farmacistit dhe jo të jetë një letër pa vlerë e varur në mur. Një farmacist sot mund të punojë ku të dojë në çdo rreth në depo farmaceutike pa asnjë pengesë. Duke u bazuar në këto licenca që marrin nga QKL, duket qarët se profesioni ngatërrohet me tregtinë dhe çdo gjë mbaron me kaq", pohon Jaupllari.
Sipas tij, rasti i fundit i kontrolleve që kishte si institucion, jo shumë larg kryeqytetit, ishte një biznesmen, i cili shërbente në farmaci dhe me plot gojën thoshte se deri dje tregtonte drogë pa licencë, ndërsa tani e tregton me licencë.
Pikërisht në lidhje me licencat shprehu shqetësimin e tij edhe Presidenti i Urdhrit të Mjekëve, Dine Abazaj, i cili theksoi se në Qendrën Kombëtare të Licencave jepen licencat në mënyrë të papërgjegjshme dhe aspak profesionale. "Gjithmonë kemi ngulur këmbë me të gjithë ministrat e Shëndetësisë që dhënia e licencave të bëhet në bazë të kritereve dhe në mënyrë profesionale", pohon Abazaj.
Pipero: Urdhri i Farmacistëve të sjellë propozimet në Ministri
Nëse keni pretendime në lidhje me tregun farmaceutik mund të vini me propozime konkrete në Ministrinë e Shëndetësisë.
Kështu u shpreh drejtori i Politikave Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero, gjatë seminarit për Sigurimin e Aksesit ndaj Barnave. Sipas tij, tregu farmaceutik ka ende mundësi për t'u përmirësuar, por nga ana tjetër ai thekson se vitet e fundit tregu farmaceutik është përmirësuar ndjeshëm. "Duhet të dini se të sistemosh këtë treg në kaq vite në Shqipëri është një punë e madhe, megjithatë them se ka ende për t'u bërë", - thekson Pipero.
Sa i takon pretendimeve të Urdhrit të Farmacistëve dhe Urdhrit të Mjeku, ai theksoi se janë të mirëpritur për të shkuar me propozime dhe sugjerime konkretet. "Ne na intereson bashkëpunimi me të gjithë aktorët dhe për këtë e kemi ftuar Urdhrin e Farmacistëve për të diskutuar rreth problemit të tregut farmaceutik.
Shpresojmë që edhe ata të kenë vullnetin për këto bashkëpunime, në mënyrë që të përmirësohet situata", pohon Pipero. Ndërkohë, ai thekson se mungesat e profesionistëve në farmaci nuk kanë të bëjnë me fenomenin, por me raste sporadike dhe se në rast shkeljesh janë marrë edhe masa ndëshkimore.