Komunat që nuk krijojnë para, të falimentojnë

Berisha i kërkon prefektëve që brenda 2 javësh të dorëzojnë inventarin e plotë të investimeve
TIRANË - Kryeministri Berisha iu tërhoqi dje vëmendjen prefektëve, duke iu kërkuar që t'i kushtojnë një vëmendje më të madhe jo vetëm infrastrukturës rrugore, por edhe trashëgimisë kulturore dhe mjedisit për të pasur më shumë turistë.
"Fenomeni më i fuqishëm madhor këtë vit ka qenë bum-i turistik. Qeveria ka bërë përpjekje tërësore për t'i paraprirë këtij zhvillimi të fuqishëm që këtë vit njohu rritje të madhe, më shumë vizitorë se banorë".
Gjatë takimit me prefektët e 12 qarqeve, Kryeministri Berisha kërkoi prej tyre që brenda një afati kohor prej dy javësh të dorëzojnë inventarin e plotë të të gjitha investimeve të bëra në prefekturat përkatëse, në rrugë kombëtare dhe jo kombëtare, rurale dhe dytësore, në kanalizime, ujësjellës, shkollat dhe qendrat shëndetësore.
Duke theksuar rëndësinë e mjedisit në fushën e turizmit, kryeministri Berisha u premtoi prefektëve një zë të veçantë për njësitë e qeverisjes vendore në fondin e zhvillimit të rajonit.
"Pra, nuk do të aplikohet vetëm për rrugë, ujësjellës dhe kanalizime, por edhe për vendndodhjet, qytezat, kështjellat e kohërave të shkuara. Të gjitha këto do të bëhen në një partneritet të ngushtë me qeverisjen vendore, me të cilat ju do të keni partneritet të veçantë".
Por, kryeministri Berisha u tërhoqi vëmendjen disa krerëve të prefekturave në vend, ku, sipas tij, janë vërejtur mangësi në mbledhjen e parave. "Në qoftë se ti nuk krijon të ardhura, shpall falimentimin, nuk ke si të mbahesh ti i falimentuar, deklaro që unë nuk mund të jem komunë dhe merr qeveria përsipër të krijoj shërbimet aty, por me parazitizëm nuk mund të jesh.
Të shndërrosh fondet që të jepen për pastrimin e territorit, në rroga dhe qelepir, kjo nuk mund të ndodhë dhe nuk do të ndodhë më", - tha kreu i qeverisë.