E Shtunë, 31 Tetor 2026

Agjencia e Vlerësimit Moody’s rikonfirmon efektshmërinë e qeverisjes

11/12/2009  Shqipëri, vlerësim për reformat, inflacionin e ulët dhe rritjen ekonomike

Rritja e lartë ekonomike, inflacioni i ulët dhe reformat fiskale i kanë dhënë një notë pozitive vlerësimi Shqipërisë, në krahasim me 5 vendet e tjera të rajonit. Ka qenë Agjencia e Vlerësimit Moody’s në Nju Jork, një ndër 3 agjencitë më prestigjioze në vlerësimin e korporatave dhe shteteve, e cila në vlerësimin e datës 8 dhjetor ka dhënë notën “B1” për vendin tonë me opinionin “stable outlook”. “Edhe pse në kushtet e përkeqësimit të tregjeve financiare globale, krizës që ka përfshirë pothuajse të gjithë botën vendi ynë ruan dhe konsolidon një vlerësim “stable”. Vlerësimi i dhënë nga Moody’s është një dëshmi e institucioneve ndërkombëtare të specializuara për të vlerësuar kredibilitetin dhe efektshmërinë në qeverisjen e vendit si dhe është gjykimi më i qartë i paanshëm i modelit pro reformë, pro biznes dhe pro integrim evropian në politikat ekonomike të ndjekura”, - theksojnë burime zyrtare të Ministrisë së Financave, sipas të cilëve ky rikonfirmim konstant pason atë që është dhënë në prill 2009. “Në argumentimin e këtij vlerësimi jepen fakte dhe argumente që mbështesin opinionin e tyre, siç është ruajtja e rritjes ekonomike për vitin 2009 nga 2 për qind në 5 për qind dhe në vitin 2010 nga 3 për qind në 6.5 për qind, niveli i ulët i inflacionit brenda objektivit 2-4 për qind dhe që është më i ulët se çdo vend tjetër në tranzicion, masat ligjore fiskale me orientim pro biznes dhe drejt uljes së taksave vazhdojnë të mbështesin rritjen ekonomike si dhe reformat pro BE-së ofrojnë incentiva për investimet e huaja, si dhe përpjekjet që po bëhen në kuadrin e integrimit evropian përbën një bosht orientues të politikave të zhvillimit ekonomik duke përafruar legjislacionin apo institucionet”, - theksojnë burimet zyrtare. Ky vlerësim vjen në të njëjtën kohë kur mes 6 vendeve të rajonit të Ballkanit 5 prej tyre kanë marrë një vlerësim negativ.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›