Agjensia e re e investimeve

Në mbledhjen e parë të bordit të Agjencisë Shqiptare për Investime dhe Zhvillim, kryeministri bëri një pasqyrë me tone pozitive të ekonomisë shqiptare gjatë vitit që sapo lamë pas.
“Ne mbyllim vitin me një defiçit buxhetor prej 3.1 përqind, nga 4.5 përqind që e kishim sipas statistikave tona në fund të vitit 2009. Me një inflacion tërësisht të kontrolluar, me investime plotësisht të realizuara, me një likuiditet të plotë të sistemit bankar dhe rritje të depozitave dhe interes të madh në investime”, tha Berisha.
Në këtë mbledhje të parë, bordi me propozim të ministrit të Ekonomisë Ilir Meta emëroi zonjën Eneida Guria, Drejtore Ekzekutive e Agjencisë Shqiptare për Investime dhe Zhvillim. Kjo agjensi e re, me iniciale në anglisht AIDA, do të funksionojë si një dritare e vetme për t'i shërbyer dhe për të promovuar investimet e huaja dhe vendase në biznesin shqiptar.