E Shtunë, 31 Tetor 2026

Agnesa Vuthaj: Nga Florida me kalori

Ka kaluar pushime me të vërtetë të jashtëzakonshme këtë fundit ish Miss Albania, Agnesa Vuthaj. Ndërsa në vendlindjen e saj në Istog këto kanë qenë ditët më të ftohta të vitit, Agnesa ka zgjedhur diellin dhe plazhet e Floridës, në shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Agnesa është nisur drejt Floridës vetëm një ditë para Krishtlindjeve, pasi ka marrë pjesë në disa aktivitete bamirësie të zhvilluara gjatë fundvitit e në të cilat ajo është përfshirë me shoqatën që drejton. Në fakt viti që sapo lamë pas, ka qenë mëse e mbarë për Agnesa Vuthajn, edhe pse nisi i zymtë me humbjen e babait të saj. Por pjesëmarrja në edicionin e dytë të “Dancing with the Stars” në Vizion Plus, e solli Agnesën edhe njëherë në qendër të vëmendjes së publikut. Për njëmbëdhjetë javë rresht, deri në gjysmëfinale, ajo qe një nga figurat më të dashura të spektaklit që kapi rekorde shikueshmërie, kjo edhe për faktin se kishte fatin që për partner të kishte Simone Pigliacelin, balerinin italian me të cilin gjithë shtypi rozë dëshironte që ajo të kishte një lidhje dashurie. Por ndonëse shkëndija mes tyre nuk ndezi (ishte Agnesa ajo që e donte Simonen vetëm si mik), sërish ata u bënë një çift mediatik shumë i dashur, gjë që i solli dhe një kontratë për t’u bërë imazhi publicitar i Albtelecom-it. Vjeshta e gëzoi sërish Agnesën me lajmin e lindjes së një mbese dhe e gjithë periudha ka qenë ndër më të begatat në punën e saj.

Dhe fundi i një viti i tillë meriton të festohet më së miri. Pushimet në Florida, ku jeton motra e saj, kanë qenë një dhuratë mëse e merituar. Në fotografitë e bëra gjatë pushimeve, Agnesa rrezaton lumturi dhe... disa kilogramë mbi peshë. Epo mëkati i ushqimit, është një nga më të ëmblit, që mund t’ja lejojnë vetes edhe “miss”-et. Përpara e presin muaj të tërë me palestra që do e sjellin patjetër në formë, ndërkohë që Agnesa i gëzohet ditëve të fundit të pushimeve dhe tavolinave kalorike.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›