E Diel, 1 Nëntor 2026

Agnesa Vuthaj: Që të dorëzoja kurorën, u bëra vetë producente e “Miss Kosova”

TIRANE-Bukuroshja kosovare Agnesa Vuthaj, duke dashur që edhe vajza të tjera të provonin ndjesinë e veçantë të mbajtjes së kurorës, e dorëzoi atë me dëshirë. “Miss Agnesa” e mbajti titullin e më të bukurës së Kosovës për tri vite me radhë, e meqë askush nuk po kujtohej që ajo të kishte një pasuese, nga miss vendosi të behej producente. Kështu në vitin 2006’ ajo e ‘rihapi’ spektaklin e bukurisë të cilin vazhdon ta organizojë dhe sot. Vetëm pak ditë larg finales së eventit të sivjetshëm, Agnesa rrëfen për “Gazeta Shqiptare” detaje mbi konkurrentet, një prej të cilave është edhe një vajzë nga Shkodra. Po ashtu ajo na zbulon edhe arsyen e mungesës së më të bukurës kosovare për një vit rresht. Për të gjithë kuriozët, Agnesa vazhdon të jetë beqare…
Agnesa prej sa vitesh je producente e “Miss Kosova”?
Unë jam producente e spektaklit “Miss Kosova” që prej vitit 2006.
Si ka nisur kjo sipërmarrje e jotja? Kush e organizonte këtë spektakël përpara teje dhe pse ta besuan ty?
Meqë unë mbaja kurorën e “Miss Kosovës” prej vitit 2003 dhe nuk u organizua “Miss Kosova” në vitin 2004 e as në 2005, vendosa ta bëja vetë organizimin në bashkëpunim me artdashës të tjerë, Doja të dorëzoja kurorën dhe t’u jepja mundësinë edhe vajzave të tjera të mbanin titullin “Miss Kosova” dhe të kishin një përvojë të bukur sikur timen si dhe duke aspiruar për përfaqësimin dhe promovimin e Kosovës në konkurse ndërkombëtare. Në Kosovë prej vitit 2003, spektakli i bukurisë “Miss Kosova” është organizuar nga kompani të ndryshme çdo vit.
Sa i dashur është ky event televiziv për publikun kosovar?
‘Miss’-in e konsideroj si eventin televiziv më të dashur dhe gjithmonë arrin shikueshmërinë më të lartë.
Po vajzat e Kosovës që duan të bëhen ‘Miss’, janë shumë?
Ka shumë vajza të bukura që duan të behën ‘Miss’, duke pasur parasysh suksesin e ‘Miss’-eve nga Kosova vitet e fundit si në konkurset ndërkombëtare, po ashtu edhe në projekte të tjera të modës. Vajzat e reja motivohen për të qenë edhe ato pjesë e spektakleve të bukurisë, të udhëtojnë nëpër botë dhe të përfitojnë duke punuar si modele apo imazhe të kompanive të mëdha si brenda vendit ashtu edhe jashtë.
Si bëhet përzgjedhja e tyre?
Ne hapim një konkurs publik çdo vit, përmes televizionit dhe mediave të tjera, ku i ftojmë vajzat që të aplikojnë. Pastaj mblidhet një juri për të bërë përzgjedhjen e finalisteve, të cilat do të jenë pjesëmarrëse në “Miss Kosova”.
Sa vajza morën pjesë në audicionet e këtij viti dhe sa prej tyre u përzgjodhën?
Kanë konkurruar rreth 150 vajza dhe janë përzgjedhur 16 prej tyre, që do të konkurrojnë me njëra-tjetrën në natën finale.
Më pas si është procedura? Vajzat bëjnë udhëtime, sete fotografike?
Vajzat bëjnë udhëtime, prova për natën finale, fotografi dhe aktivitete të tjera kulturore dhe bamirësie. Ne kemi aktivitete të ndryshme për secilin vit. Këtë herë kishim fatin që vajzat të fotografohen nga Fadil Berisha.
Po vajza nga Shqipëria vijnë? Se këtu tek ne vijnë vajza nga Kosova...
Po, këtë vit kemi një konkurrente nga Shkodra.
Si sillen aspirantet për ‘Miss’ me ty? Përpiqen të të imitojnë?
Nuk e di nëse përpiqen të më imitojnë apo jo, por secila vajzë mundohet të sillet më së miri dhe të duket sa më bukur, për të lënë një përshtypje të mirë përpara konkurrentëve si dhe para organizatorëve.
Pse “Miss Kosova” mungoi një vit?
Vitet e fundit spektaklet e bukurisë në Kosovë e Shqipëri janë përqendruar më së shumti tek përfaqësimi në konkurse të rëndësishme ndërkombëtare, andaj në mungesë të buxhetit të mjaftueshëm për organizimin dhe përfaqësimin, kam zgjedhur të investoj në përfaqësimin ndërkombëtar, duke mos shpenzuar për një organizim spektakli, por duke hapur një konkurs për t’u dhënë mundësinë të gjitha vajzave dhe kështu kam zgjedhur përfaqësuesen e Kosovës.
A ka vështirësi në organizimin dhe realizimin e këtij eventi? Çfarë problemesh keni hasur?
Sigurisht që vështirësi ka gjithmonë, sepse janë të kyçur shumë njerëz dhe ka raste që dikush nuk është i përgjegjshëm për punën që ka marrë përsipër. Meqë këto evente organizohen në një kohë shumë të shkurtër, të gjithë bashkëpunëtorët duhet të jenë të angazhuar 100% që të rezultojë një organizim i suksesshëm. Gjithashtu janë organizime të kushtueshme dhe shpeshherë hasim në vështirësi të realizojmë në tërësi idetë tona.
Po spektakli i bukurisë në Shqipëri si të duket?
Unë kam qenë vetë fituese e spektaklit “Miss Albania” dhe kam qenë bashkëpunëtore në vitet në vijim. Kam parë nga afër si organizimin po ashtu edhe finalet e “Miss Albania” ndër vite. Gjithashtu kam qenë e pranishme në shumë organizime ndërkombëtare dhe spektakli “Miss Albania” them me bindje që mund të krahasohet me spektaklet ndërkombëtare të niveleve më të larta.
Çfarë përfitimesh ka ajo që do të marrë kurorën e bukurisë së Kosovës?
Do fitojë të drejtën e përfaqësimit të Kosovës në “Miss Universe” ose “Miss Earth”, një bursë studimesh si dhe mundësi për të fituar kontrata pune si modele nëpër vendet më të spikatura të modës në botë.
Gjatë vitit me se merresh tjetër përveç ‘Miss’-it?
Kryesisht me ndërmarrësi. Tani jam prag të hapjes së një biznesi të ri, për të cilin jam duke punuar që nga viti i kaluar.
Pushime për këtë verë ke bërë? Ku i ke kaluar ose ku do i kalosh dhe me kë?
Shkova në fillim të verës në Francë me familjen. Ndërsa me shoqet e mia kam kaluar një javë të bukur në jugun e Shqipërisë.
Zakonisht preferon detin apo malin? Plazhet shqiptare apo ato të huaja?
I preferoj që të dyja, por gjatë verës më shumë më pëlqen deti. Padyshim që zgjedh Shqipërinë për detin para vendeve të tjera.
Të reja nga jeta personale kemi? Vazhdon të jesh beqare?
Akoma.

(d.b/SummerPages/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›