Agolli Kadare, një duel artificial
Panairi i sivjetshëm i librit në Tiranë u shoqërua në ditët e tij më të nxehta edhe me një fushatë gazetareske sipas stilit shqiptar, stil që karakterizohet nga mbizotërimi i shprehjes së mendimeve mbi baza hatëri, smire, oportuniteti dhe preferencash interesi personal. Stil që imiton shëmtuar ndërkomunikimin në politikën shqiptare.
Gazeta Sot paraqiti në faqet e saj një lloj interviste anketë me idenë se cili është sot më i madhi, më i lexuari shkrimtar shqiptar, Kadare apo Agolli. U pyetën disa deputetë, politikanë, disa njerëz të medias, e tek- tuk ndonjë shkrimtar. Thelbi i përmbajtjes së vlerësimeve të tyre ishte pak a shumë ky: Kadare është shkrimtar elitar, princi i letrave shqipe i njohur ndërkombëtarisht, ndërsa Agolli është i tabanit popullor, i bën himn kombit, është i yni. Kishte edhe nga ata që thanë se të dy janë miqtë e me e të dy janë njëlloj të mëdhenj, të tjerë thanë se të dy janë servilë të politikës. Ndonjë tjetër figurë e njohur tha se nuk kam lexuar asnjërin, pasi lexoj vetëm literaturë profesionale të artit të restaurimit. Një poet i çuditshëm shkruajti se Agolli shkruan për shqiptarët, ndërsa Kadare për të huajt. Ndër vlerësimet kishte edhe të tillë që, Agolli është më i madh në poezi kurse Kadare në prozë. Një akademik tha se Agolli ishte shkrimtari i tij i preferuar me nënkuptimin që Kadarenë nuk e lexonte fare, etj.
Që mua si lexues më pëlqen njëri ose tjetri më shumë, mospëlqimet e shprehura nga të tjerët, të pa arsyetuara bindshëm, nuk më ndryshojnë gjë në opinionin tim. Unë shijoj sipas kaleidoskopit tim, sipas shijes sime të kristalizuar nga botëformimi dhe prirja ime personale. Kur gjej vlera të reja në opinionet e tjera ia vesh ato bindjeve të mija duke forcuar opinionin individual. Përpara një tregu të tillë vlerash shikoj gjithmonë një peshore ku nga njëra anë janë popullariteti i njërit me trofe modeste, Agolli dhe nga ana tjetër janë disa trofe të larta të tjetrit përzier me popullaritet, Kadare. Kështu më duket peshorja Kadare Agolli. Kjo më shtyn të kërkoj e të pyes: Dakord popullor Agolli, po përse nuk është kaq i afërt, kaq i ngrohtë për psikologjinë e masës ai tjetri, Kadare që ka edhe trofetë e larta vlerësuese?
Çfarë e bën më të largët, çfarë e pengon mekanizmin admirues te njerëzit për tu ndjerë i afërt te ata me mjeshtërinë e tij. Po arti? Sigurisht subjektivizmi i shijeve luan rol. Mos kemi të bëjmë me atë shkallën e vlerave ku Mendësia Babaxhane e përkthyer në popullaritet absorbohet më lehtë nga masa dhe Inovativja si më e vështirë për tu kapur e interpretuar përkthehet në ftohtësi me më pak popullaritet, ndërkohë që merr trofe elitash?!
Mbase na ndihmon në kuptimin më mirë të kësaj dukurie shoqërore një fenomen i ngjashëm i viteve 60-70 në Francë.
Atë fenomen që u quajt Sindroma ose kompleksi Poulidor. Në vitet 60-70 sporti i çiklizmit botëror kishte një kampion të madh, Jacques Anquetil, i cili fitoi në mënyrë absolute vendin e parë në disa vite radhazi të Tour de France. Sigurisht që kishte edhe konkurrentë shumë të mirë dhe një nga këta ishte Raymond Poulidor, i cili për fat të keq asnjëherë nuk mundi të fitonte titullin kampion. Në shumicën e garave u rreshtua gjithmonë i dyti dhe i treti, asnjëherë të vetme i pari.
Kjo jo sepse ai nuk bëri maksimumin e përpjekjeve në një karrierë shumë të gjatë, nga viti 1960 deri në 1976. Por ishte një fat i keq për Raymond Poulidor që karriera e tij koincidoi me atë të Jacques Anquetil në periudhën e parë të fillimit dhe me atë të Eddy Merckx në periudhën e mbylljes. Konkurrenca sportive mes tyre u influencua në sytë e opinionit francez si një garë mes dy koncepteve, midis të talentuarit absolut Anquetil dhe konkurruesit Poulidor, të admiruar shumë nga fansat për shpirtin e garës por i limituar përgjithmonë në arritjen e titullit kampion nga i padiskutueshmi Anquetil.
Poulidor vinte nga një vend bujqësor i Francës qendrore. Rridhte nga një familje bujqish dhe në rrethanat e jetës në fshat i pajisur me forcë fizike dhe shpirt gare nuk arriti të arsimohej. Ushria dhe shërbimi në Algjeri e rritën duke shfrytëzuar më pas mundësitë e përfshirjes në garat aq popullore të çiklizmit në Francë. Me flokët e zinj, me shprehje fytyre babaxhani dhe trup muskuloz me dukje fshatari ishte më i afërt për mendësinë e njerëzve të zakonshëm. U dhimbsej kur e shikonin që me gjithë përpjekjet maksimale nuk arrinte dot që të vishte të paktën një herë bluzën e verdhë të fituesit të vendit të parë. Ishte një simpati popullore dhembshurore për suksesin e tij, sukses që shkonte deri te vendi i dytë, por asnjëherë i pari. Poulidor u influencua, u demoraliza nga rezistenca e gjatë e Anquetil, nga qëndrueshmëria e fortë psikologjike e tij. Janë tre raste të mirënjohura kur gjatë garave Poulidor kishte shansin që të thyente Anquetil mirëpo gaboi në racionalitetin e kohës së alteritmit të ritmit, të sprintit. Dhuntinë e mprehtësisë së ritmit të garës nuk e kishte në atë nivel sa rivali i tij i përhershëm.
Kalonin vitet dhe çuditërisht çiklisti Poulidor, i mbiquajtur tashmë I dyti i përjetshëm kishte një popullaritet më të madh sesa kampioni Anquetil. Në popull kishte një keqardhje të madhe, një dëshpërim gufues për pamundësinë e fitimit të një titulli kampion nga Poulidor.
Ndryshe ishte në sytë e francezëve konkurrenti Anquetil. Ai vinte nga veriu i Francës, Normandia, nga një familje ndërtuesish dhe vet studioi inxhinieri. Ishte bjond, i mprehtë me pamje tërheqëse, i hollë fizikisht me ambicie të qartë këmbëngulëse për të qenë fitues. Stërvitja dhe garimi i tij bazohej në kritere shkencore dhe inovative. Ai ishte në majë të teknikave stërvitore në çiklizëm, në ato të ushqyerjes dhe të rejave teknologjike të biçikletave të garave. Ai adaptoi për herë të parë qëndrimin mjaft të përkulur të trupit gjatë sprintit mbi biçikletë dhe modifikoi timonin e saj. Filozofia e tij pikësynonte çdo përpjekje të domosdoshme, racionale për fitimin e një sekonde gjatë garës. Intuita e talentit të lindur e bënte të jashtëzakonshëm kur i vetëm në krye të garës arrinte një racionalitet perfekt të ndarjes, alternimit të kohës së ritmit midis sprintit dhe pedalimit normal. Ai fitoi tetë gara të mëdha të Tour de France, por asnjëherë nuk u pa që të ngjitej e të kapërcente majën e një mali i pari. Nga kjo cilësi, racionaliteti absolut me kohën filluan ta quajnë Zotëria Ritëm -Kohë. Asgjë më shumë. Mbi biçikletë dhe në lëvizje ai ishte personifikim i elegancës dhe teknikës racionale. Ishte mjeshtër në rezervimin e energjive gjatë garës dhe i fuste në përdorim maksimal ato në çastet më të domosdoshme. Poulidor kish më shumë muskuj por në harxhimin e energjive ishte më pak racional.
I talentuari Anquetil iu dukej njerëzve i pamëshirshëm në egon e tij për të qënë gjithmonë i pari. Me sjellje prej fisniku, i vlerësuar për talentin e tij sportiv, nuk ia falnin, nuk ia pranonin dot, që nuk toleronte të paktën që një garë të fitohej nga Poulidor. Me gjithë admirimin e padiskutueshëm, publiku nuk e ndjente aq të afërt sesa konkurrentin e tij, të dytin e pafat Poulidor. Kaq dëshpërueshëm e kërkonte
