Agolli: Nuk jam penduar që braktisa Tiranën për Krivbasin
Java e radhës e kampionatit ukrainas është shtyrë për shkak të masave të ashpra ndaj epidemisë së gripit të derrave, që duket se ka mbërthyer këtë vend. Kjo ka bërë që një pjesë e mirë e futbollistëve të huaj që impenjohen në ligën e parë të Ukrainës të zgjedhin të udhëtojnë drejt vendlindjeve të tyre para kohe. Mes tyre janë edhe treshja shqiptare e Krivbasit, Ervin Bulku, Ansi Agolli dhe Isli Hidi. Menjëherë pasi kanë mbërritur në Shqipëri, tre futbollistët janë angazhuar në stërvitje me ish-klubin e tyre, Tiranën, me qëllim për të ruajtur formën e tyre sportive në prag të fillimit të grumbullimit të Kombëtares për fazën përgatitore para miqësores me Estoninë më 14 nëntor në Talin. Me të vënë këmbët në kampin bardheblu, ata nuk harrojnë të demonstrojnë se janë tifozë ultras të Tiranës. Një gjë të tillë e thekson vetë Agolli, mbrojtësi i majtë i kombëtares, i cili në fillim të këtij sezoni u transferua nga bardheblutë te Krivbasi. Agolli pohon se nuk është penduar që la Tiranën për t‘u transferuar gjatë merkatos së verës së fundit. "Në Ukrainë jam për një karrierë më të mirë. Nuk jam bërë pishman, qoftë nga ana ekonomike, qoftë nga ana cilësore e futbollit, pasi ai është ekip më i mirë se Tirana", nënvizoi Agolli. Mbrojtësi i majtë, i cili luan edhe si mesfushor i majtë, që për momentin është në stolin e skuadrës ukrainase, beson se do ta fitojë një vend titullari te Krivbasi dhe se nuk do ta rrezikojë vendin në Kombëtare. Ai analizon situatën aktuale të bardhebluve dhe e jep si shumë të mundshëm rikthimin e skuadrës së tij të zemrës te trofeu. "Tirana do ta përmbysë klasifikimin, ka besim Agolli, pasi ka ekip të mirë dhe po ngjitet frikshëm. Me fitoret e fundit ka dhënë shenja të qarta rikthimi pas një nisjeje të mirë". Si rivalen më të fortë të bardhebluve në këtë sezon, ai shikon Dinamon dhe nuk harron të bëjë elozhe për trajnerin e saj, një "ish"-bardheblu, Shkëlqim Muçën. "Dinamo ka një ekip të mirë, por mbi të gjitha ka një trajner shumë të mirë. Ata kanë bërë ecurinë e tyre të shkëlqyer në javët e para. Sidoqoftë prirem të besoj se Tirana është jo vetëm në valle për titullin, por favorite, pasi kampionati është ende në hapat e parë".
A. Manallari
A. Manallari