Gjykata: Vllaznia t‘i kthejë Licit 31700 dollarë!
Vllaznia dhe Suad Lici kanë ende hesape për të larë. Bëhet fjalë për një borxh të vjetër (mosshlyerje të detyrimeve financiare të kontratës), që klubi shkodran i detyrohet ish-futbollistit për 6-mujorin e dytë të sezonit 2005-2006. Kjo shumë kap shifrën e 31 mijë e 700 dollarëve, të cilat tashmë do të duhet të përfundojë në xhepat e Licit. Vendimi ka marrë formë zyrtare mesditën e së mërkurës nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, pas padisë së depozituar nga Lici. Pas shqyrtimit të pretendimeve nga të dy palët, gjykata i ka dhënë të drejtë ish-futbollistit të Vllaznisë, duke e cilësuar kërkesën e shlyerjes së shumës prej 31 mijë e 700 dollarësh si të drejtë. Por, drejtuesit e klubit Vllaznia kanë reaguar ashpër, duke e konsideruar të padrejtë këtë vendim të gjykatës. Sipas tyre, klubi nuk është në kontratë me lojtarin dhe nuk ka asnjë detyrim ndaj tij. Aq më tepër që çështja e Licit është një problem i mbartur që nga presidencat e kaluara dhe pronarët aktualë të klubit nuk i detyrohen asnjë lek këtij futbollisti. Nisur nga ky pretendim, drejtuesit e klubit janë të vendosur për t‘i shkuar deri në fund këtij vendimi, të cilin e cilësojnë arbitrar dhe që shoqërohet me një faturë të kripur financiare për kuqeblutë. Ajo kontratë është nënshkruar nga ish-sekretari i klubit, Ismet Hoxha, dhe ish-presidenti Agron Çela. Shuma prej 24 mijë dollarëve u përket detyrimeve të kontratës, ndërkohë që 7700 dollarë është kamatëvonesa e vendosur nga gjykata për mosshlyerjen në kohë të këtij detyrimi të mëparshëm. Burime nga klubi, bëjnë të ditur se vendimi i marrë nga Gjykata e Shkodrës do të apelohet në shkallët më të larta të gjyqësorit. Çështja Lici është e njohur prej disa vitesh, por asnjëherë drejtuesit e klubit nuk i kanë dhënë të drejtë, fakt që e ka detyruar futbollistin e njohur shkodran t‘u drejtohet dyerve të gjykatës për t‘i dhënë zgjidhje problemit.
A. Manallari
A. Manallari