Agonia e lirisë!
Dy televizionet kombëtare, megjithëse me ngjyrime të kundërta të vijës redaksionale, bënin një karakteristikë gati të njëjtë për emrin që u caktua së fundmi në krye të SHISH, ku veçohej aftësia e tij në fushën e kompjuterave. Ngjante se po lajmërohej përzgjedhja e administratorit të një Internet-Kafeje, dhe jo e shërbimit inteligjent. Duhej të ishte minimalisht një njeri i fushës së spiunazhit dhe jo një nga ish-profesorët e rekrutuar në rrëmujë e sipër nga Gazidedja. Ose të paktën nga radhët e ushtarakëve, siç është tradita e këtyre lloj shërbimesh, ose praktika e vendeve anëtare të NATO-s. Por nuk ndodhi asnjëra nga këto. Personi në fjalë vjen nga radhët e famëkeqit SHIK, i drejtuar nga i ndjeri Gazidede. Ajo çfarë mbahet mend se prodhoi kjo organizatë, është zhdukja e personave, rrahja shtazarake e opozitarëve, lidhjet okulte me Al Qaedan dhe shërbimet sekrete arabe, ku pas ’97-ës u strehua shefi i tyre. Në rangjet e ulëta, profesionalizmi ishte formësuar nga librat e verdhë prej dy lekësh, apo literatura divulgative që botonte një herë e një kohë Ministria e Punëve të Brendshme. Në rangjet e larta, nuk është se ndryshonin shumë nga vartësit. Kush kujton filmat “Agjenti 007”, do mbetej i zhgënjyer nga paraqitja dhe formimi i shikasve gazidedas. E banalizuan profesionin, duke përdorur teserat për të mos paguar biletat e autobusit, dhe duke përfunduar me tuta dhe shapka në aeroportet e Vjenës dhe Brukselit, pas rënies së shtetit në vitin ’97. Agjenturat e huaja, bënin qejf dhe humor me kolegët e tyre shqiptarë. Ajo që nuk u kuptua kurrë nga drejtuesi i tyre politik, është se zanati i spiunit, është zanat si ai i kardiologut, të cilin nuk mund ta bëjë dikush që nuk ka talent dhe shkollë për këtë punë. Ajo që i duhej dhe i duhet Berishës, është pikërisht mungesa e profesionalizmit. Ka një dashuri evidente të Sali Berishës për ish-punonjës të SHIK-ut famëkeq. Qenia i vetmi organ që nuk e tradhtoi në rrëmujat e ’97-ës, ka fiksuar në psikikën e tij, se vetëm këta njerëz janë pretorianë të vullnetit të tij për të kontrolluar paralelisht shtetin. Kuptohet, pretorianë sipas standarteve shqiptare. Drejtori i Shërbimit të Provës së Republikës, është një ish-punonjës i SHIK-ut, i akuzuar për rrëmbim dhe zhdukje personi. Drejtori i Përgjithshëm i Doganave të Shqipërisë, është një tjetër ish-punonjës i shërbimit famëkeq, i quajtur Flamur Gjymyshka. Ka mbaruar fakultetin e Shkencave të Natyrës, dhe rekrutuar nga Gazidede. Ndërsa ish-nëndrejtori i përgjithshëm dhe më vonë drejtor i doganës së Durrësit dhe tani i asaj të Tiranës, i quajtur Bujar Vukaj, është shok i djalit të kryeministrit, marrë nga rruga dhe vendosur në këtë post. Ish-punonjës të SHIK-ut dhe shokë të fëmijëve, është lënda nga e cila merr administratën e tij kryeministri i vendit. Duke qenë njëkohësisht bombë me sahat për fatet e vendit. Është një politikë e tërë për zvetënimin, uljen e standarteve dhe në fund shkatërrimin e administratës shqiptare. Promovimi i injorantëve apo profanëve në lidhje me fushën, është mënyra më e mirë e demotivimit të talenteve dhe zvjerdhjes së personave me dhunti e integritet që të futen në rrugën e administratës publike.
Para disa ditësh, një i panjohur u zgjodh nënkryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Që nga fotografia e kupton se nuk ndihet rehat në karrigen ku rri. Nuk ka karrierë në drejtësi, apo rekord në jurisprudencë. Nëse ka gjë që të mëson jeta e Çefës, është se kushdo që i ka hyrë karrierës, sado i talentuar të jetë, mënyra më e mirë për t’u ngjitur është t’i bëhesh urë politikës. Rast tjetër: Kush e kujton Prefektin e Tiranës? - Vështirë. Është i panjohur. Nuk është politikan, shkencëtar, apo aktivist civil. Është përfaqësues i qeverisë qendrore për Tiranën, por nuk dihet çfarë ka bërë më parë. Posti i krijuar nga Napoleoni, ka njohur administratorë si Haussman, i cili e bëri Parisin ky që është sot. Ka qenë i tillë edhe Qazim Mulleti, personalitet i spikatur i kohës. Por vendosja e dikujt që në jetë nuk ka bërë asgjë, përveçse të qenit shok i djalit të kryeministrit, është e dëmshme për ambicien e cilitdo që ëndërron të bëjë karrierë në administratën civile. Kjo politikë promovimesh, jo vetëm që nuk mundëson formësimin e një administrate dhe burokracie bashkëkohore, por trupëzon tribalizmin në shtet, duke e sklerotizuar atë dhe kthyer thjesht në një mekanizëm sundimi ku kriteri për zbatim nuk është ligji, por vullneti i kryeministrit. Sjellja e fundit e Presidentit të Republikës në emërimet e mësipërme, ngutja për zbatimin e vullnetit të kryeministrit, janë tregues se zoti Nishani nuk është në atë post për të qenë mbi palët dhe i baraslarguar, por vetëm një zgjatim i vullnetit të bosit të tij. Kompliciteti i disa ambasadorëve me shefin e Shqipërisë; pafuqia apo mungesa e nuhatjes politike të të tjerëve; rënia e interesit për Shqipërinë dhe fati i saj në kancelaritë vendimmarrëse perëndimore, janë indikatorë të frikshëm se demokracia e brishtë shqiptare po futet në kufijtë, ku kërcënohet liria.
(er.nu/GSH/BalkanWeb)