Ua kemi borxh shqiptarëve këtë betejë pas ndryshimeve kushtetuese, që i pranuam symbyllurazi
Jemi në shtetin njëpartiak që ka në krye Sali Berishën!
Vjetërsia e vetme e regjimeve diktatoriale ende në pushtet në Europë.
Në Ballkan ka sivëllezërit e tij Nikoliç dhe Daciç.
Lexova gazetat e ditës dhe më bënë përshtypje dy gjëra:
E para, deklarata e një udhëheqësi të lartë socialist që vëren se po shkojmë drejt shtetit njëpartiak.
Në fakt ne jemi prej muajsh në shtetin njëpartiak. Ky stërhollimi socialist në përshkrimin e realitetit politiko- ligjor, jo po kështu- jo po ashtu, jo po rrezikojmë-po jemi pak larg akoma, jo po po shkojmë drejt- po do ta ndalin ndërkombëtarët, jo po ai se bën dot edhe këtë se është çmenduri- ndërkohë që ai po bën çmenduri pas çmendurie, vetëm sa po i heqin nervin e reagimit, kundërshtimin, refuzimit, betejës kundër kthimit pas në një regjim autokrat deri totalitar!
Mik e miq të dashur, boll me kaq!! Po jetojmë në një shtet njëpartiak, në krye të tij ka një regjim të korruptuar e gjakatar, Ky regjim kudo ku shfaqet vetëm luftohet, politikisht, juridikisht, por mbi të gjitha në një mënyrë të provuar si e suksesshme: betejë popullore.
Kjo betejë ka dy kushte:
Bashkim dhe mosbashkëpunim në asnjë rast, në asnjë rrethane me regjimin.
Por së pari duhet të bindemi ne për betejë, ua kemi borxh shqiptarëve pas ndryshimeve kushtetuese që i pranuam symbyllur e që i hapën rrugën me pashë shtetit njëpartiak.
Kam që prej zgjedhjeve lokale të 2011-ës, vjedhjeve që flas e bërtas kudo në ambientet tona, të PS, që po shkojmë drejt kësaj të keqeje, ndaj kam propozuar ndryshime në Kushtetute e sistemin politik. Dëgjojnë, të japin të drejte po kaq, deri këtu, sepse më shumë e mendojnë si sulm ndaj kryetarit. Jo, jo, nuk është sulm të pranosh gabimin, ta korrigjosh, për më tepër kur nga ky korrigjim varet e ardhmja demokratike e vendit!
Ja ku jemi! Gjithë çfarë paralajmërova ndodhi! Tani të paktën të mbledhim mendjen se jemi nën regjim e duhet të bëjmë betejë me të!
Së dyti, njerëz që i çmoj shumë si profesor Klosi, më tej analistë siç Nazarko dje, Kikia sot, e shquajnë emërimin e kryetarit të SHISH si arsye për tu trembur.
Miq, kujdes, ju bëni opinion publik dhe çdo fjale e juaja përpihet. Çfarë mesazhi po përcillni?
Nëse emërimi në fjalë është kontribut në pushtimin prej partisë të institucioneve të pavarura dhe e gjitha është investim në shtetin njëpartiak, atëherë mesazhi që pritet nuk duhet të jetë ai i frikës, por i betejës kundër së keqes.
Si thonë, diktatoret nuk lindin të tillë, ata i bën diktatorë mungesa e reagimit, mefshtësia dhe frika e popullit.
Lexova edhe Mustafa Nanon që shkruante se Tani është vonë për ta ndalur Berishën!
Unë nuk mendoj kështu! Nuk është vonë asnjëherë për një betejë të drejtë.
Po e përsëris, ka vetëm dy kushte:
Bashkim dhe mosbashkëpunim me regjimin e Sali Berishës. Bindje dhe vendosmëri se kjo e keqe shkulet.
Vazhdon të më ushtojë në vesh:
E VJETRA SHEMBET!
Këtë duhet të bëjmë!
