TemA TV/ Projektet e kandidatit Rama: Qeveria e izoloi Vlorën, ja si do e rilindim (VIDEO)
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka zgjedhur ditën e nisjes së sezonit turistik për të mbajtur të parin fjalim si kandidat për deputet i qarkut të Vlorës.
Pasi u prezantua nga kryetari i Bashkisë, Shpëtim Gjika, Rama akuzoi qeverinë se ka izoluar kryeqytetin e pavarësisë.
Rama tha se PS do të bëjë për Vlorën në katër vite atë që nuk është bërë në 20 vite.
Vlora në këto vite ka ndryshuar shumë. Por, të gjithë e dinë se Vlora do të kishte ndryshuar edhe më shumë nëse do kishte në Tiranë një qeverie e cila ta shikonte Vlorën me sytë e zemrës, e cila të kishte veshë për të dëgjuar shqetësimet dhe nevojat e Vlorës, e cila të kishte sy për të parë qoftë historinë e lavdishme të Vlorës, qoftë të ardhmen e vendit tonë, që nuk mund të kuptohet pa zhvillimin e Vlorës. Fatkeqësisht, në Tiranë, Vlora nuk e ka pasur një qeveri të tillë. Përkundrazi, ka pasur një qeveri që për vite me radhë e ka lënë Vlorën të izoluar nga pjesa tjetër e Shqipërisë. E ka lënë Vlorën ende pa rrugë që ta lidhë atë me Tiranën, me pjesën tjetër të Shqipërisë dhe me Kosovën. Sepse edhe Kosova e sheh Vlorën, ashtu siç e shikon gjithë Shqipëria, si kryeqytetin e shtetit shqiptar, si Kryeqytetin e Pavarësisë, si kryeqytetin e historisë, si kryeqytetin e atyre vlerave dhe atyre parimeve, e atyre idealeve dhe ideve që bën të nisë rrugëtimi i Shqipërisë së pavarur, i Shqipërisë së lirë, i Shqipërisë Europiane. Duke qenë se sot, ne, jemi këtu për të ftuar të gjithë ata që na ndjekin, që të vijnë në Vlorë, ta vizitojnë Vlorën, ti kalojnë pushimet në Vlorë, besoj është edhe dita për të thënë se në katër vitet e ardhshme ne do të bëjmë për Vlorën aq sa nuk është bërë në 20 vjet me radhë, tha Rama.
I pari në listën e kandidatëve të PS-së për qytetin e Vlorës, Rama shfrytëzoi këtë ceremoni për të bërë një sërë premtimesh për qytetin bregdetar me qëllim përmirësimin e jetës së banorëve në këtë zonë, por edhe shndërrimin e këtij qyteti në portën e Shqipërisë me vendet e Mesdheut.
Ne do të bëjmë me shpejtësi një Plan Zhvillimi urban për Vlorën. Ne do ta rindërtojmë Sheshin e Pavarësisë, ne do ta rishohim dhe do ta rindërtojmë të gjithë rrugën lidhëse mes Sheshit të Pavarësisë dhe kësaj pedonaleje. Padyshim, do të hapim kantierin e madh të pedonales që do të lidhë Skelën deri poshtë drejt Ujit të Ftohtë.
Ne do ti heqim makinat nga bregu i Vlorës. Që do të thotë që do të ndërtojmë by pass-in për të bërë të mundur që gjithkush të kalon në Vlorë të mos bëhet pengesë për ecurinë normale të jetës së qytetit dhe për mijëra dhe dhjetëra mijëra njerëz që do të vijnë në Vlorë për të shëtitur lirisht buzë detit të mrekullueshëm të këtij qyteti.
Ne do të hyjmë në çdo lagje të Vlorës. Do të mbjellim në 4 vitet e ardhshme 10 mijë pemë të reja në Vlorë. Do të ndërtojmë për çdo lagje dhe çdo komunitet ato hapësira publike që sot Vlorës i janë më të domosdoshme se asnjëherë dhe që sot Vlorës i mungojnë, sepse jo vetëm prej 8 vitesh, por edhe më shumë se 8 vitesh, jo vetëm nga kjo qeveri, por edhe nga qeveritë e mëparshme, Vlorës i janë mohuar fondet që kanë merituar.
Ne do ta bëjmë Vlorën hapësirën e aktiviteteve kulturore jo thjesht shqiptare, por aktiviteteve kulturore ndërkombëtare. Do të kemi ditë të posaçme kulture në Vlorë; kulture ballkanike, kulture mesdhetare, kulture europiane.
Vlora do të bëhet porta e Shqipërisë ndaj Mesdheut. Vlora do të bëhet porta e Shqipërisë ndaj Europës. Vlora do të bëhet bashkë me Durrësin, dhe bashkë me pika të tjera në bregdet, shembulli i një zhvillimi ashtu siç e meriton Shqipëria, ashtu siç e meritojnë shqiptarët.
Ne do ti japim fund njëherë e përgjithmonë ndërtimeve pa leje në Vlorë dhe në të gjithë bregdetin. Ne do ti japim fund njëherë e përgjithmonë fenomenit të bathorizimit të Adriatikut dhe të Jonit.
Ne do ti japim fund njëherë e përgjithmonë abuzimeve skandaloze me pronën publike dhe me pronën private në gjithë këtë pjesë të Shqipërisë, që është një dhuratë e çmuar e Zotit dhe e natyrës, e që dora e njeriut deri më sot vetëm e ka dëmtuar. E pra, ne jemi të vetëdijshëm se çfarë detyrimesh kemi për Vlorën. Ne jemi të vetëdijshëm se çfarë potencialesh të jashtëzakonshme ka ky qytet. Ne jemi të vetëdijshëm se çfarë energjish të jashtëzakonshme kanë njerëzit e këtij qyteti. Nga Vlora ne do të nisim rrugën e një Rilindje Shqiptare, tha Rama./ep