Agron Shehaj në zyrën e Palokës të verifikojë firmat e delegatëve, PD: Show mediatik!

Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Shehaj, ka shkuar ditën e sotme në zyrën e kryetarit të Këshillit Kombëtar të PD-së, Edi Paloka, për të verifikuar firmat e më shumë se 4200 delegatëve demokratë, firma këto ta cilat janë depozituar nga Sali Berisha, për të thirrur Kuvendin Kombëtar të PD-së më 11 dhjetor. Agron Shehaj, pretendon se njeh delegatët e njësisë 5 dhe 7 të Partisë Demokratike në Tiranë, dhe gjatë verifikimit i ka marrë në telefon për t’i pyetur dhe, sipas tij, ka konstatuar se ato kanë firmosur që të mblidhet Kuvendi Kombëtar i PD-së më 11 dhjetor.
Por në një qëndrim zyrtar të degëve 5 dhe 7 të Partisë Demokratike në Tiranë, e cilësojnë veprimin e Shehajt si një show mediatik, pasi, sipas tyre, ka dështuar që të verifikojë firmat e demokratëve, sepse ai as nuk e njeh bazën e partisë, as nuk e respekton atë. Sipas PD, Shehaj nuk ka bërë asnjë takim me demokratët e këtyre degëve që prej ditës që u zgjodh deputet.
‘Show mediatik i Agron Shehajt me demokratët konfirmoi se interesi i tij i vetëm është protagonizmi personal. Agron Shehaj dështoi të verifikojë firmat e demokratëve, sepse ai as nuk e njeh bazën e partisë, as nuk e respekton atë. Si drejtues politik i degëve 5 dhe 7 në Tiranë, Agron Shehaj nuk ka bërë asnjë takim me demokratët që prej ditës që u zgjodh deputet. PD në degën 5 dhe 7 në Tiranë e kudo ka vendosmërinë për të mos lënë demokratët në baltë dhe të mos lejojë nëpërkëmbjen e dinjitetit të tyre. Ne jemi në krah të demokratëve dhe interesit të Shqipërisë, me misionin e vetëm për rrëzimon e regjimit të Edi Ramës dhe rikthimin e PD në pushtet.’- thuhet në deklaratën e përbashkët të degës 5 dhe 7 të PD-së.