E Diel, 1 Nëntor 2026

Ahmadinexhad akuzon sërish: Perëndimi nxiti trazirat

Zgjedhjet presidenciale të 12 qershorit zhytën Iranin në krizën më të rëndë politike që prej Revolucionit Islamik të vitit 1979, duke nxjerrë në dritë përçarjet e vazhdueshme në radhët e elitës udhëheqëse të vendit dhe duke acaruar më tej marrëdhëniet me kancelaritë perëndimore.

Irani akuzon Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe veçanërisht Britaninë e Madhe, për nxitje të protestave paszgjedhore, që, sipas Teheranit, kishin si objektiv rrëzimin e regjimit islamik të vendit. Këto akuza janë hedhur poshtë nga Uashingtoni dhe Londra.

Ahmadinexhad, i cili bëri betimin për një mandat të dytë presidencial më 5 gusht, deklaroi se Perëndimi është përgjegjës për trazirat paszgjedhore në Iran.

"Këtë herë, në mënyrë të dukshme ndërhytë në punët e brendshme në Iranit duke menduar se do të dëmtonit kombin islamik", deklaroi Ahmadinexhad, i cituar nga agjencia zyrtare e lajmeve IRNA.

"Ju duhet të konsideroheni përgjegjës për veprimet tuaja, por ne jemi të vetëdijshëm se trazirat që keni krijuar në botë nuk janë shenjë e autoritetit, por e dobësisë suaj", deklaroi presidenti konservator iranian.
Teherani dhe Perëndimi janë përfshirë në një krizë lidhur me programin e dyshimtë bërthamor të Teheranit, për të cilin Uashingtoni beson se ka si synim sigurimin e bombës atomike.

Në procesin gjyqësor që nisi sot, asnjë figurë e njohur politike e moderuar nuk ishte në mesin e 28 të akuzuarve. Media iraniane transmetoi pamje të tyre në sallën e gjyqit të veshur me rroba të burgut.

Disa javë më parë, Irani zhvilloi dy gjyqe kundër më shumë se 100 të moderuarve, ndër to edhe politikanë të lartë, nën akuza për cënim të sigurisë kombëtare, krim që në bazë të ligjit islamik iranian dënohet me vdekje.

Perëndimi dhe organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut i kanë dënuar këto procese gjyqësore.

                                                                                             

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›