Ahmadinexhad, i gatshëm për diskutim publik me Obamën
Gjatë një konference për shtyp dhënë në Teheran, lideri iranian Mahmud Ahmadinexhad ka deklaruar se është gati për të diskutuar publikisht me presidentin amerikan Barack Obama. Nisja e kësaj bisede mund të cilësohet si historike ndërmjet dy liderëve. Por presidenti iranian ka shtuar se nuk do të diskutojë për programin nuklear iranian me vendet e grupit 5+1. "Teherani nuk do të heqë dorë nga të drejtat e veta", ka thënë Ahmadinexhad. Në të tjera detaje, lideri iranian shtoi se Republika Islamike është e disponueshme për dialog dhe takime korrekte me të gjitha vendet, përfshirë dhe ato që bëjnë pjesë në të ashtuquajturin grupi '5+1'. Vlen të thuhet se pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit, bën pjesë edhe SHBA-ja, plus Gjermania. Gjithsesi Ahmadinexhad ka saktësuar se Irani nuk do të ndryshojë ambiciet e tij për çështjen nukleare duke thënë se është një e drejtë e vendit për ta përdorur energjinë atomike për qëllime paqësore, kështu që nuk do të negociojë për një të drejtë lehtësisht të kuptueshme. Presidenti iranian shtoi se duhet përqëndruar pikërisht në këtë temë, dhe me fuqitë e mëdha është më mirë që të diskutohet për të përballur sfidat globale për të ndryshuar gjërat. Lideri iranian siguroi se Teherani do të vazhdojë aktivitetet e tij në fushën nukleare, por në bashkëpunim të ngushtë me 'Agjencinë Ndërkomëbtare të OKB-së për energjinë atomike.