E Diel, 1 Nëntor 2026

Ahmetaj: Sistemi financiar shqiptar i përgatitur për sfidat klimatike

TIRANË, 15 dhjetor /ATSH/ Zëvendësguvernatorja e Dytë e Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj mori pjesë në Konferencën Kombëtare të Financave të Klimës, organizuar nga Ministria e Mjedisit dhe Instituti i Kërkimeve Urbane, me mbështetjen e UNESCO-s.

Në fjalën e saj, zëvendësguvernatorja Ahmetaj theksoi angazhimin e Bankës së Shqipërisë për integrimin progresiv të rreziqeve klimatike dhe të tranzicionit në kuadrin e stabilitetit monetar dhe financiar, duke i trajtuar ato si sfida reale për sistemin bankar dhe ekonominë kombëtare.

Ajo tha se, “sistemi financiar shqiptar është i përgatitur për sfidat klimatike”, teksa evidentoi arritjet e Strategjisë së Parë të Gjelbër 2022–2025, që përfshijnë: Ngritjen e grupit të punës për financat e gjelbra; Zhvillimin e treguesve klimatikë dhe financiarë; Vlerësimet e para të ekspozimit ndaj rreziqeve klimatike dhe realizimin e provës së parë të rezistencës ndaj rrezikut të tranzicionit.

Duke u mbështetur në këto hapa, theksoj Ahmetaj, Banka e Shqipërisë ka nisur hartimin e Strategjisë së Dytë të Gjelbër 2026–2028, e fokusuar në: Thellimin e integrimit të rreziqeve klimatike në mbikëqyrje dhe stabilitet financiar; Zhvillimin e kërkimit analitik; Forcimin e bazës për zhvillimin e mëtejshëm të financave të qëndrueshme në vend.

Gjithashtu vijoj ajo, një element kyç në këtë proces është Taksonomia e Gjelbër Kombëtare, e cila synon të krijojë një gjuhë të përbashkët për identifikimin e aktiviteteve ekonomike të qëndrueshme, të ulë rrezikun e greenwashing dhe të mbështesë zhvillimin e produkteve financiare të gjelbra në Shqipëri.

Zëvendësguvernatorja nënvizoi se Banka e Shqipërisë mbetet e angazhuar që sistemi financiar të jetë më i qëndrueshëm, më rezistent ndaj rreziqeve klimatike dhe më aktiv në mbështetjen e tranzicionit të gjelbër.

/e.xh/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›