Ahmeti: Ban Ki-Moon e viziton Kosovën si protektorat, jo si shtet të pavarur
Shpend Ahmeti, nga Lëvizja Vetëvendosje, pohoi se për ta është e rëndësishme të dihet se çfarë porosie do të sjellë Ban ki Moon gjatë vizitës së tij në Kosovë. Ai tha se, nëse Moon po vjen të diskutojë gjashtëpikëshin për të cilin ka thënë se është në përputhje të plotë me katërpikëshin e Tadiqit, atëherë më mirë të mos vjen fare.
“Në qoftë se po vjen për të diskutuar gjashtëpikëshin, të cilin ai ka thënë se është në përputhje të plotë me katërpikëshin e Tadiqit, e ka deklaruar edhe më herët se ka një marrëveshje me Qeverinë serbe, për atë se si duhet të duket zgjidhja për veriun, atëherë në themi më mirë të mos vjen fare. Sepse, ne qëndrimin tonë për gjashtëpikëshin e kemi bërë të ditur moti. Në atë gjashtëpikësh, parashihet që policia të ndahet në veri nën komandë tjetër, që doganat në veri, një pjesë e fondeve të shkon drejt në strukturat qeverisëse në veri, pa kaluar fare nëpër qendër në Prishtinë”, tha Ahmeti.
Ahmeti të gjitha këto i sheh si “gatim i një recete”, e cila është e dëmshme për Kosovën dhe e cila do ta ndajë Kosovën në baza etnike dhe do ta bosnjëzojë atë.
“Me të vërtetë jemi të indinjuar, jo vetëm me këto vizita, por edhe me sjelljen e Qeverisë sonë, e cila po e hap rrugën, duke thënë se është e gatshme të bisedojë për veri dhe për zgjedhje. Në momentin që thua se jam i gatshëm të bisedojë për veriun, automatikisht ke pranuar kompromis dhe ai kompromis do të jetë shumë i dhimbshëm”, tha ai.
Ahmeti më tej pohoi se Ban Ki Moon do të pritet në Kosovë pa ceremoni shtetërore, gjë që lë të kuptohet që Kombet e Bashkuara nuk e njohin Kosovën si shtet. Ai tha se Moon po e viziton Kosovën, si protektorat të Kombeve të Bashkuara dhe jo si shtet të pavarur, pasi që Kombet e Bashkuara nuk e konsiderojnë si të tillë.
“Kombet e Bashkuara kanë kërkuar që të mos ketë organizim shtetëror, në mënyrë që të mos konsiderohet që po e njeh Kosovën si shtet, që të mos ketë probleme pastaj në Kombet e Bashkuara. Me siguri vjen si pjesë e rezolutës 1244. Ai edhe në të kaluarën ka deklaruar se rezoluta 1244 për ta ende është gjallë. Por edhe Qeveria e Kosovës vazhdimisht thirret në atë rezolutë. Prandaj, ai e viziton Kosovën si protektorat i Kombeve të Bashkuara, e jo si shtet të pavarur, sepse Kombet e Bashkuara nuk e konsiderojnë Kosovën si të tillë”, tha ai.
Ndërsa, i pyetur për një krizë të mundshme politike pas zgjatjes së mandatit të presidentes Jahjaga, Ahmeti pohoi se Kosova tani më është në krizë politike edhe pa zgjatje të mandatit të presidentes. Ai tha se, nëse dikush ka menduar se kemi qenë në një situatë të mirë politike dhe ekonomike, ka gabuar.