E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgatitjet për vizitën e Ban Ki Mun në Kosovë

Në kuadër të turneut të tij diplomatik në rajon, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, do ta vizitojë nesër Kosovën, përderisa sot ai po qëndron në Beograd.

Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, Ban pritet t’i takojë disa nga përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, dhe do të vizitojë edhe administratën e UNMIK-ut, beri të ditur zëdhënësja e kësaj administrate, Andrea Jang.

“Sekretari i përgjithshëm do të udhëtojë për në Kosovë nesër, dhe do të largohet vonë në mbrëmje. Sipas agjendës së tij, ai do të takohet me përfaqësuesit e Kosovës, por nuk mund ende t’ju them se me kë saktësisht do të takohet".

"Pastaj ai do të vijë në UNMIK, ku do të takohet me stafin, dhe zyrtarë të tjerë të organizatave”, tha Jang për Radion Evropa e Lirë, duke mos dhënë detaje të tjera se cilat vende do t’i vizitojë Ban Ki Mun.

Nga ana tjetër, autoritetet policore thonë se lidhur me këtë vizitë, policia ka hartuar një plan që ka për qëllim sigurinë e sekretarit dhe stafit të tij.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani tha se drejtuesit e policisë, për këtë vizitë, kanë angazhuar një numër të konsiderueshëm të zyrtarëve policorë.

“Të gjitha përgatitjet e nevojshme në aspektin policor janë ndërmarrë me kohë. Ne kemi përgatitur urdhrin operativ të Policisë së Kosovës, ku janë të inkuadruar të gjitha njësitet e nevojshme relevante për të qene të gatshme për çfarëdo reagimi që kërkohet rreth kësaj vizite”, tha Kelani.

Ndryshe, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës vizitën e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, e shohin si të rëndësishme.

Ata kanë thënë se “vizita e Ban Ki Mun-it është një lajm i mirë për Kosovën, është një lajm i mirë për rajonin, dhe është një përqendrim i tij dhe i OKB-së për zhvillimet politike që ndodhin në Kosovë”.

Ban Ki Mun këtë turne ballkanik e nisi më 20 korrik.

Deri më tani, sekretari gjeneral i Kombeve të Bashkuara ka vizituar Slloveninë, Kroacinë dhe Malin e Zi.

Pas qëndrimit në Kosovë, Ban do ta vizitojë Maqedoninë dhe Bosnjën për ta përmbyllur turneun në rajon më 26 korrik.(REL)

Sot në Serbi, nesër në Kosovë

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, do ta vizitojë sot Beogradin, ndërsa nesër pritet të arrijë në Kosovë.

Gjatë qëndrimit të tij në kryeqytetin serb, ai pritet ta takojë presidentin, Tomisllav Nikoliq dhe shefin e diplomacisë serbe, në largim, Vuk Jeremiq.

Vizita e tij bërë Serbisë hyn në kuadër të turneut ballkanik, të cilin Mun e nisi më 20 korrik.

Deri më tani, sekretari gjeneral i Kombeve të Bashkuara ka vizituar Slloveninë, Kroacinë dhe Malin e Zi.

Të martën, ai pritet të arrijë në Kosovë, ndërsa më pas do ta vizitojë Maqedoninë dhe Bosnjën për ta përmbyllur turneun në rajon më 26 korrik.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›