Ahmeti: Gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut, e garantuar nga marrëveshje ndërkombëtare

TIRANË, 14 prill/ATSH/ Kreu i Partisë për Bashkimin Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti foli sot në Samitin IV të Diasporës shqiptare, në panelin “Diaspora mbarëshqiptare: A po bëjmë çfarë duhet bashkarisht?”.
Ahmeti tha se që në vitet ’70–’80 ka ekzistuar një organizim i mirëfilltë i shqiptarëve në mërgatë, i cili është forcuar përmes shoqatave si “Bajram Curri”, “Hasan Prishtina” dhe “Dedë Gjon Luli”.
Sipas Ahmetit, pas përfundimit të luftërave në vitet 1999–2001, shumë prej këtyre shoqatave u shkrinë dhe u transformuan në struktura më të vogla, shpesh të organizuara në lagje qytetesh në të gjithë Evropën.
“Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës dhe Malësia e Madhe duhet të shihen si një tërësi, pasi deri në vitin 2001 shqiptarët nuk kanë vepruar në bazë krahinore, por si një komb i bashkuar”, tha ai.
Ahmeti tha se për kohën, kjo qasje ishte e nevojshme, ndërsa sot kërkohet një qasje e re, kthimi dhe angazhimi i profesionistëve nga mërgata si inxhinierë, mjekë dhe specialistë të tjerë për të sjellë përvojën e tyre në vendlindje.
“Po ashtu, është e rëndësishme që shqiptarët në vende si Gjermania dhe Zvicra të bëhen investitorë aktivë përmes bashkinvestimeve, pasi Evropa ka ndryshuar politikat dhe tashmë kërkon partneritete, jo vetëm investime të njëanshme nga shtete të mëdha si Gjermania apo Austria. Politikat tona duhet të inkurajojnë krijimin e këtyre ekipeve dhe bashkëpunimin me investitorë të huaj”, vijoi Ahmeti.
Kreu i Partisë për Bashkimin Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut nënvizoi se është një ide ambicioze krijimi i një banke shqiptare në Maqedoninë e Veriut, e cila mund të mobilizojë kapitalin e shqiptarëve në emigrim.
“Sa i përket gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut, u ngrit shqetësimi se ajo përballet me rreziqe reale dhe kërkon mbrojtje të përbashkët. Gjuha shqipe është garantuar përmes marrëveshjeve ndërkombëtare, me përfshirjen e ShBA-ve nën presidencën e George W. Bush asokohe, si dhe mbështetjen e BE-së dhe NATO-s”, theksoi Ahmeti.
Sipas tij, Marrëveshja e Ohrit ka sjellë arritje të rëndësishme që nga përdorimi i simboleve kombëtare, arsimi në gjuhën shqipe, përfaqësimi në administratë në këtë gjuhë dhe miratimi i ligjit për gjuhën shqipe, i cili e njeh atë si gjuhë zyrtare për komunitetet që përbëjnë mbi 20% të popullsisë.
“Çdo koment apo përpjekje për të zbehur këto arritje konsiderohet si një rrezik për cenimin e kësaj marrëveshjeje”, tha Ahmeti.
Në fund të fjalës, Ahmeti tha se përgjegjësia është e përbashkët dhe pa shqiptarët, Maqedonia e Veriut nuk mund të mbijetojë dhe ditët i ka të numëruara.
Samiti i Diasporës, foto: Florian Abazaj 1 nga 12/e.i/j.p/