E Diel, 1 Nëntor 2026

Hoxha: Diaspora kërkon qasje dhe strategji të përbashkët ndërshqiptare

TIRANË, 14 prill /ATSH/ Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, deklaroi në Samitin IV të Diasporës se bashkëpunimi dhe koordinimi ndërmjet vendeve shqiptare janë thelbësore për ndërtimin e një politike efektive ndaj diasporës.

Në fjalën e tij në panelin “Diaspora mbarëshqiptare: A po bëjmë çfarë duhet bashkarisht?”, Hoxha theksoi nevojën për një qasje të unifikuar, duke nënvizuar se diaspora shqiptare, pavarësisht ndarjeve shtetërore, funksionon si një e tërë.

“Kemi disa vende, por kemi një diasporë. Dhe nëse kemi një diasporë, duhet të kemi një qasje. Nëse nuk kemi një qasje, nuk kemi një strategji”, u shpreh ai.

Hoxha bëri të ditur se institucionet shqiptare janë në proces të hartimit të strategjisë së re për diasporën për periudhën 2026–2030, e cila do të diskutohet gjerësisht edhe me autoritetet në Kosovë dhe vendet e tjera të rajonit.

“Jemi duke ndërtuar strategjinë e ardhshme për diasporën 2026–2030 dhe do ta diskutojmë me të gjithë partnerët tanë, për të pasur një qasje sa më gjithëpërfshirëse”, tha ai.

Ai theksoi se sfida kryesore mbetet ndërtimi i një koncepti të qartë për ndërveprimin me diasporën, e cila, sipas tij, në vendet perëndimore funksionon si një komunitet i vetëm.

“Në Bruksel, në Britaninë e Madhe, në SHBA apo në Australi, diaspora është një. Ata kanë gjuhë, identitet dhe interesa të përbashkëta”, deklaroi Hoxha.

Ministri nënvizoi rëndësinë e koordinimit mes institucioneve, përfshirë ministritë e jashtme, përfaqësitë diplomatike dhe aktorët e tjerë në rajon.

“Duhet të kemi një koordinim shumë më të fortë mes të gjithë institucioneve që ndërtojnë programe për diasporën, për t’i vendosur ato në një kalendar të përbashkët dhe efektiv”, u shpreh ai.

Sipas Hoxhës, fokusi duhet të jetë te elementët e përbashkët si gjuha, identiteti dhe kultura, si dhe te nxitja e investimeve, inovacionit dhe angazhimit të talenteve të diasporës.

“Kur vjen puna te investimet, inovacioni dhe talentet, duhet të shohim si t’i harmonizojmë këto për nevojat e Shqipërisë, Kosovës dhe vendeve të tjera të rajonit”, tha ai.

Ai pranoi gjithashtu se strukturat aktuale institucionale për diasporën kanë qenë të fragmentarizuara dhe kërkojnë një qasje më të integruar.

“Kemi struktura të ndryshme, por nuk mund të vazhdojmë të jemi të fragmentarizuar nëse duam një qasje të koordinuar dhe me impakt për diasporën tonë”, theksoi Hoxha.

Hoxha u shpreh se, vetëm përmes harmonizimit të politikave dhe bashkëpunimit ndërinstitucional mund të arrihet një angazhim më efektiv me diasporën shqiptare.

/gj.m/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›