E Diel, 1 Nëntor 2026

Ahmeti: Me marrëveshjen kanë fituar të dy palët

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti ka takuar të mërkurën ambasadorin e Kosovës në Shkup, Ylber Hysa, ku temë diskutimi ka qenë marrëveshja Prishtinë-Beograd. “Kërkova nga z. Hysa që t’i përgëzojë autoritetet e Kosovës për këtë hap të guximshëm, t’i inkurajojë autoritetet e Kosovës që zbatimi të bëhet sa më shpejtë. Me këtë marrëveshje kanë fituar të dy palët, ka fituar shteti i Kosovës dhe shteti i Serbisë. Kosova ka fituar sepse ushtron sovranitet dhe integritet të plotë mbi aktin më madhor, pavarësinë. Serbia ka fituar sepse ka hequr një gur prej qafës një projekt të projektuar gabimisht”, ka deklaruar pas takimit Ahmeti , transmeton “Zhurnal”.

Ndërkohë, ambasadori Hysa i ka uruar për fitoren e BDI-së në zgjedhjet lokale. “Isha këtu për të uruar z. Ahmetin për fitoren e shënuar në zgjedhjet e fundit, për një proces fer dhe demokratik që është ushtruar në Maqedoni, për të njoftuar për një akt të rëndësishëm siç është marrëveshja e Prishtinës me Beogradin, me ndërmjetësim të Brukselit dhe për të konstatuar marrëdhëniet tona shumë të mira me shpresën se duhet t’i forcojmë ato në shumë fronte, që nga ekonomia deri te kultura”, ka deklaruar Hysa./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›