Qeveria shpronëson toka ku po ndërtohet autostrada

Në mbledhjen e Qeverisë janë marrë disa vendime, ndër to disa shpronësime në Komunën e Prishtinës, Fushë Kosovës, Obiliqit dhe Prizrenit të cilat preken nga ndërtimi i Autostradës Vërmicë – Merdarë dhe ndërtimi i rrugës nacionale N9 Fushë Kosovë – Arllat –Gjugjicë. Zëvendësministri i Financave, Ramadan Avdiu ka paraqitur raportin tremujor të buxhetit, ku doganat vazhdojnë të jenë kontribuuesi më i madh në mbushjen e buxhetit shtetëror.
“274 milionë euro janë pranuar në buxhet, prej tyre 147.18 milionë nga Doganat e 72.91 milionë nga ATK-ja. 292 milionë euro janë shpenzuar në këtë periudhë 3 mujore, në paga 69.5 milionë euro e në mallra dhe shërbime 37.8 milionë”, ka thënë Avdiu. Ai ka kritikuar Ministrinë e Arsimit, e cila ka kërkuar 50 mijë euro për projektin ATOMI. Ai ka thënë se këto mjete dhe ato për projektin e Ministrisë së Diasporës për Regjistrimin e Mërgimtarëve nuk janë planifikuar në buxhet.
“Ministria e Arsimit do të duhej të planifikonte këto mjete në buxhetin e saj që i është ndarë në fillim nga Qeveria sepse tashmë buxheti është ndarë”, ka thënë zëvendësministri i Financave. Por, megjithëkëtë kryeministri ka propozuar që të votohet dhe këto të holla t’i jepen Ministrisë së Arsimit e gjithashtu të kalohet edhe koncept-dokumenti për Regjistrimin e Mërgimtarëve./Indeksonline/