E Diel, 1 Nëntor 2026

Ahmeti: Nano la gjurmë të pashlyeshme në historinë moderne të Shqipërisë

TIRANË, 31 tetor/ATSH/ Kryetari i Partisë për Bashkimin Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit Fatos Nano.

Në një postim në rrjetet sociale, Ahmeti tha se “me dhimbje të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të mikut tim të vjetër, shokut tim të orëve të vështira, Fatos Nano. Na lidhte miqësia, bashkëpunimi dhe respekti i ndërsjellë që lindi në kohëra sfidash, kur idealet për liri, demokraci dhe zhvillim ishin udhërrëfyesit tanë të përbashkët”.

“Fatosi ishte njeri me vizion, guxim dhe urtësi politike, një personalitet që la gjurmë të pashlyeshme në historinë moderne të Shqipërisë. Në këto çaste dhimbjeje, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë dhe gjithë ata që e deshën e e vlerësuan. U prehtë në paqe miku im, Fatos Nano. Kujtimi i tij do të mbetet i gjallë gjithmonë”, theksoi Ahmeti.

Ish-kryeministri Fatos Nano u nda sot nga jeta në moshën 73-vjeçare pas problemeve të rënda shëndetësore.

/k.s/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›