E Diel, 1 Nëntor 2026

17-vjeçari u përplas për vdekje, qytetarët marshojnë në Vlorë: Drejtësi për Leandron

TIRANË, 31 tetor /ATSH/ Qindra qytetarë të Vlorës dolën sot në protestë për të nderuar kujtimin e 17-vjeçarit, Leandro Shametaj, i cili u përplas për vdekje nga një shofer në gjendje të dehur.

Bashkëmoshatarë të të miturit, familjarë e qytetarë të tjerë, marshuan përgjatë bulevardit kryesor të qytetit, nga gjimnazi “Ali Demi”, ku 17-vjeçari ishte nxënës, deri në vendin ku ndodhi aksidenti fatal.

Me fotografi të Leandros në duar dhe me mesazhe ku apelohet për përgjegjshmëri dhe ndëshkim për shkaktarët e aksidenteve, qytetarët kërkuan drejtësi.

“Drejtësi për Leandron!” ishte thirrja e tyre, gjatë gjithë marshimit.

Marshimit iu bashkua dhe prefektja e qarkut, Evis Allushi.

“Sot zhvillova një takim me drejtorin e Policisë së Qarkut të Vlorës dhe drejtuesit më të lartë të kësaj policie, për marrjen e masave shtrënguese për të ruajtur sigurinë rrugore, por njëherësh dua t’u bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Vlorës, për të qenë më të kujdesshëm, në zbatim të rregullave të qarkullimit rrugor për të mbrojtur jetën e tyre dhe jetën e të gjithë qytetarëve të tjerë”, tha Allushi.

Aksidenti tragjik u shënua më 28 tetor, pas mesnate në Bulevardin Ismail Qemali. Pas aksidentit, policia vuri në pranga 32-vjeçarin Hajri Barjamaj, që sipas tyre drejtonte makinën me shpejtësi në gjendje të dehur.

/m.q/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›