Balluku paraqitet në SPAK: Kam pranuar kërkesën për një çështje në hetim. Reagon Bardhi: Të shkarkohet

TIRANË, 31 tetor/ATSH/ Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku është paraqitur sot në ambientet e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. (SPAK).
Pas daljes nga SPAK, Balluku u shpreh se kishte pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për një çështje në hetim.
“Në respekt të plotë të organeve të drejtësisë, kam pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për një çështje në hetim. Si qytetare e Republikës së Shqipërisë dhe zyrtare publike e shikoj këtë si një proces, një proces i cili jam shpresëplotë që do të jetë i bazuar mbi transparencë dhe mbi parimet e drejtësisë tek e cila besoj”, deklaroi Balluku për mediet.
Bardhi: Balluku duhet të shkarkohet
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar sot pasi zv.kryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku është paraqitur në SPAK.
Bardhi shprehet në një postim në rrjetet sociale se marrja e Ballukut si e pandehur nga SPAK, duhet të pasohet shkarkimin e saj.
“Një kryeministër që pretendon se mbështet luftën kundër pandëshkueshmërisë, nuk mund të mbajë si krahun e vet të djathtë një të akuzuar nga drejtësia për vjedhjen e 50 milionë eurove në Tunelin e Llogarasë. Në çdo vend normal, Kryeministri do ta kishte shkarkuar menjëherë një zyrtare të lartë të pandehur me një akuzë të tillë për tenderat publikë”, thekson Bardhi.
Ai shton se “duke e mbajtur në detyrë, Edi Rama pengon drejtësinë dhe krijon rrezikun që provat e hetimit të manipulohen apo të zhduken”.
“Por sot, është bërë e qartë edhe diçka tjetër me rëndësi për shoqërinë tonë të zhgënjyer nga korrupsioni kaq masiv: kallëzimi që bëra për tenderin e Tunelit të Llogarasë, për të cilën Belinda Balluku është marrë e pandehur, nuk kanë qenë një akt thjesht partiak opozitar, por një shërbim madhor për interesin publik. Një shërbim ndaj qytetarëve që duan ndershmëri dhe llogaridhënie. Opozita do të ndjekë me vëmendje çdo hap të mëtejshëm të hetimit dhe do të kërkojë pezullimin e menjëhershëm të Belinda Ballukut nga çdo detyrë publike për të garantuar që drejtësia të bëjë punën e saj pa ndërhyrje politike”, deklaron kreu i grupit parlamentar të PD-ë.
/r.e/