E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ahtisaar: “Shteti i Kosovës, i paevitueshëm”

 

PRISHTINE-Shteti i Kosovës ishte i paevitueshëm dhe Serbia nuk ka asnjë mundësi tjetër përveçse ta pranojë këtë". Marti Ahtisaari, ish-presidenti finlandez që u nderua pak ditë më parë me çmimin 'Nobel' për Paqen për negociatat për statusin e Kosovës si dhe një sërë konfliktesh të tjera në botë, është i bindur kur e thotë këtë. Në një intervistë dhënë gazetës "The Guardian", e para që prej marrjes së çmimit të Paqes, Ahtisaari hedh poshtë atë zmbrapsje në dukje të punës së tij me statusin e Kosovës që u vu re kur Serbia e fitoi mundësinë e saj për ta paraqitur çështjen në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Negociatori 71-vjeçar deklaroi gjithashtu se nuk kishte rëndësi se ish-provinca serbe është njohur deri tani nga vetëm 51, nga 192 vende të botës.
Kjo ishte më pak e rëndësishme sesa shuplaka ekonomike e vendeve që e kanë njohur Kosovën, përfshi këtu edhe BE-në dhe SHBA-në.
"Nuk ka fare rëndësi nëse Paraguai nuk e ka njohur ende Kosovën", - tha Ahtisaari. "Më shumë se 65 për qind e vendeve të pasura e kanë njohur atë, kjo ka rëndësi", - tha Ahtisaari, duke shpjeguar vështirësitë e negociatave dyvjeçare për statusin. Ai u emërua nga OKB-ja në vitin 2005 si kryenegociator dhe njeriu përgjegjës për gjetjen e një kompromisi lidhur me statusin e Kosovës, në mënyrë që t'i jepej fund situatës së bllokuar që pas luftës së vitit 1999 dhe ndërhyrjes së NATO-s. Plani i tij për pavarësinë e mbikëqyrur shoqëruar me të drejta për minoritetin serb, u hodh poshtë nga Rusia dhe Serbia vitin e kaluar. Sidoqoftë, Kosova me mbështetjen e Perëndimit, shpalli pavarësinë në shkurt. Beogradi ka deklaruar se nuk do të pranojë kurrë sovranitetin e Kosovës, por Ahtisaari tha se Serbia duhet të ndryshojë mendje për këtë nëse do të ecë përpara me integrimin në BE. Nuk mund t'i hedhësh hi syve BE-së", - tha ai. Ahtisaari u dërgoi mesazhe private të gjitha partive pasi mori detyrën e ndërmjetësuesit. "E dija se Kosova nuk do të kthehej më nën Serbinë, këtë ua thashë të gjithëve. Që prej marsit 2006 askush nuk duhej të kishte më asnjë iluzion se si do të shkonin gjërat", - shtoi ai. Rusia e kundërshtoi pavarësinë e Kosovës, duke e përdorur atë si një justifikim për njohjen e Osetisë dhe Abkhazisë nga ana e saj. Ahtisaari e hedh poshtë këtë paralelizëm. "Kosova u zgjidh brenda kuadrit të OKB-së, për Gjeorgjinë nuk pati asnjë tentativë. Nuk mund të shkosh në një vend të pavarur dhe të bësh ç'të duash, edhe nëse je Rusia", - tha ai. Ahtisaari ka qenë gjithashtu negociator për pavarësimin e Namibisë nga Afrika e Jugut në vitin 1989 dhe marrëveshjen e paqes mes qeverisë indoneziane dhe separatistëve në Aceh. Ai pohon se sekretet e negociatave të suksesshme janë kërkimi i vazhdueshëm, një strategji e qartë dhe punësimi i stafit, që ka mënyrë të pavarur të të menduarit. "Nuk duhet të kesh staf që të thotë vetëm po, duhet të kesh pranë njerëz që të sfidojnë me mendimet e tyre".

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›