Ambasadorët kosovarë nisen sot për në misionet e tyre nëpër botë
PRISHTINE-Nga dita e sotme të ngarkuarit e pare me punë si diplomatë do të nisen për në misionet e tyre diplomatike nëpër botë. Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Vlora Çitaku ka deklaruar se kontingjenti i diplomatëve kosovarë do të fillojë të shpërndahet sot dhe do të vazhdojë deri në fundin e javës së ardhshme. Në fund të javës parashikohet të përmbyllet cikli i parë i funksionalizimit të ambasadave të Kosovës.
Zv/ministrja Çitaku thekson se të ngarkuarit në punë fillimisht do të vendosen nëpër objekte me qira, pasi blerja e ambasadave nuk është thjesht blerje e pronave të patundshme, por kërkon një procedurë të veçantë që merr kohë.
Qeveria i ka ndarë Ministrisë së Jashtme një buxhet prej 25 milionë eurosh për blerjen e objekteve të ambasadave, përkatësisht misioneve diplomatike. Ndërkaq Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës paralajmëron se së shpejti do të shpall rrethin e dytë të ambasadave që pritet të hapen nëpër vendet e ndryshme të botës.
(d.b/BalkanWeb)