Ai që i bllokoi Shqipërisë 3 herë statusin e vendit kandidat, sot flet për përshpejtimin e procesit
Kreu i PS, Rama takon ambasadorin e BE, Sequi
Vizita që pritet të zhvillojë së shpejti në Bruksel ka qenë në qendër të takimit që kryesocialisti Rama zhvilloi në selinë e Partisë Socialiste me ambasadorin e Bashkimit Europian, Ettore Sequi. Më pas, Rama ka zhvilluar edhe një takim me ministrat e Qeverisë së tij të ardhshme. Kodin e heshtjes, vazhduan ta respektojnë.
Ashtu siç ishin angazhuar që në mbledhjen e Vlorës, edhe në takimin e të hënës që zhvilluan me Ramën, ministrat e Qeverisë së ardhshme nuk dhanë asnjë prononcim për median. Si pjesë e kodit të etikës të qeverisë së ardhshme, Rama ka kërkuar nga ministrat që të mos mbajnë asnjë kontakt me median që nuk merr aprovimin paraprak të zyrës së komunikimit, përfshi këtu edhe deklaratat për shtyp.
Mbledhja zgjati rreth 30 minuta dhe solli për herë të parë në selinë e Partisë Socialiste edhe ministrat e Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Por dita e Ramës nisi herët me vizitën e ambasadorit të Bashkimit Europian, Ettore Sequi, në 9 të mëngjesit. Në focus ishte udhëtimi si kryeministër që Edi Rama pritet të zhvillojë së shpejti në Bruksel si dhe takimet që do të mbajë atje.
Sequi u shpreh i kënaqur që integrimi do të jetë prioritet i qeverisë së ardhshme.
Për Ramën, Shqipëria duhet të nxitojë hapin për të kapur trenin e Europës.
Dhe, në përfundim s’kishte si të ndodhte ndryshe: Rama e mbylli paraditen me një bisedë me deputetin dhe mikun e tij të ngushtë, Koço Kokëdhima.