E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ai që nuk do të flasë

Shkrimtari kinez Mo Yan arriti të fitojë çmimin Nobel për letërsi për vitin 2012. Në këtë garë, në mesin e favoritëve qenë japonezi Haruki Murakami, siriani Adonis, kanadezja Alice Munro, shqiptari Ismail Kadare, amerikani Philip Roth etj. Mo u shpërblye për realizmin e tij halucinant, duke ndërthurur përrallat popullore, historinë dhe të sotmen.

Shkrimtari kinez Mo Yan u shpërblye me çmimin Nobel për letërsi për vitin 2012. Një shkrimtar mjaft pjellor, Mo ka botuar një numër të madh të tregimeve të shkurta, me librin e tij të parë të botuar në vitin 1981. Akademia Suedeze e lavdëroi veprën e tij, e cila ‘me realizëm halucinant i bashkon përrallat popullore, historinë dhe të sotmen’.

Këtë lajm e bëri të ditur sekretari i Përhershëm i Akademisë Suedeze, Peter Englund, gjatë ceremonisë së ndarjes së këtij çmimi, në Stokholm.

“Çmimi Nobel për Letërsi, për vitin 2012, i ndahet shkrimtarit kinez Mo Yan, realizmi i të cilit ndërthurë tregimet popullore, historinë dhe të sotmën”, tha Englund.

Mo Yan ishte një ushtarak në karrierë kur vendosi t’i braktiste të gjitha elozhet që kërkonte ushtria për t’iu dedikuar të shkruarit. Përmes librave, vendosi edhe të denonconte probleme të qenësishme.

“Tortura është një formë bashkëpunimi mes të akuzuarit, ekzekutuesit dhe publikut”, thotë ai.

Emri i vërtetë i tij është Guan Moye dhe e ka zgjedhur pseudonimin letrar si një formë “hakmarrjeje” ndaj gjyshes së tij. Mo Yan, ashtu siç ai firmos romanet e tij, do të thotë “ai që nuk do të flasë”.

Gjyshja e tij i thoshte gjithnjë të pushonte, sepse ai ishte një fëmijë shumë llafazan që nuk pushonte kurrë. Tashmë është e vështirë të shohësh atë fëmijë në trupin e këtij burri 57-vjeç.

57-vjeçari është shkrimtari i parë kinez që e fiton këtë çmim. Shkrimtari i lindur në Kinë, Gao Xingjian, ishte shpërblyer në vitin 2000, mirëpo ai është qytetar francez.

I njohur për romanet dhe prozat e tij të shumta, veprat e 57-vjeçarit Mo Yan janë ndikuar nga kritika politike e Lu Xun dhe realizmi magjik i Gabriel Garsia Markez.

Mo Yan është po ashtu "një përzierje mes Faulkner, Charles Dickens dhe Rabelais". Ai përshkruan një botë fshati në një pjesë të Kinës, që për pjesën më të madhe të të tjerëve është e huaj.

Mo Yan konsiderohet si një nga autorët më të rëndësishëm dhe të suksesshëm të Kinës, si në Perëndim ashtu edhe në vendlindje, ku deri tani për nëntë romanet dhe mbi 70 tregimet e botuara ka fituar thuajse çdo çmim për letërsinë. Në veprat e tij ai u referohet shpesh përjetimeve nga fëmijëria dhe rinia. Libri "Fusha e kuqe e grurit" në vitin 1986 i siguroi njohje mbarëbotërore, pasi filmi bazuar mbi romanin, një sagë familjare në sfondin e luftës kinezo-japoneze (1937-1945) nga regjisori kinez Zhang Yiomou, fitoi Ariun e Artë në Festivalin e Filmit në Berlin në vitin 1988.

Mo Yan u lind më 5 mars të vitit 1955 në një familje fshatare, në provincën Shangdong në verilindje të Kinës dhe përfaqëson kundërshtitë e vendit të tij. Shkrimtari jeton në Kinë dhe kritikat e tij për shoqërinë dhe sistemin politik kinez janë indirekte, ndonëse si në rastin e librit të tij të fundit “Bretkosat”, ai ka qenë i drejtpërdrejtë. Ai është një intelektual i pavarur, por jo aq eksplicit si Liu Xiaobo, i cili në vitin 2010 fitoi çmimin Nobel për Paqe.

Mo është fituesi i 109-të i çmimit prestigjioz, i cili vitin e kaluar shkoi te poeti suedez Tomas Transtroemer.

I dhënë nga fondacioni Nobel, çmimi, i cili u jepet vetëm shkrimtarëve të gjallë, ka vlerë prej 8 milionë kruna suedeze apo 1.2 milion dollarë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›