Ai që po na mund dhe i vdekur!
Pesë vjet më parë, Dritan Hoxha humbi betejën me pasionin e vetëm të jetës së tij, shpejtësinë, dhe u nda nga ne. Ishte aq i ri, me aq shumë pushtet mediatik dhe financiar, me aq shumë mbështetës dhe adhurues, me aq shumë armiq dhe zemërim rreth tij, sa nuk kishte kohë të llogariste çdo ndodhte kur të ikte. Nuk ishte një njeri perfekt siç tentojmë të lartësojmë gjithmonë ata që na ikin. Ata që kanë punuar më të, e vizatojnë si të pamëshirshëm në punë, ata që e kanë pasur mik, si të paparashikueshëm në miqësinë që dhuronte, ata që e kanë pasur armik, si shumë deprimues në dëshpërimin që të ngjallte si i pamundshëm, ndërsa ata që e kanë njohur vetëm nga ajo çfarë ka lënë për shoqërinë, thjesht e adhurojnë.
Unë nuk dua ti bashkohem sot atyre që përkujtojnë një mik, një koleg apo një armik, pasi nuk kam pasur raporte të tilla me të. Nuk kam qenë as miku, as armiku dhe as koleg në një punë me të. Por për të kuptuar kush ishte, më mjafton një krahasim i thjeshtë: Nëse sot papritur, duke folur në Kukës, i rropatur nga fushata, i shkatërruar nga skandalet, i mbingopur nga pushteti dhe i stresuar nga familja, Sali Berisha humbiste koshiencën, rrëzohej nga një atak zemre e nuk ngrihej më, do të ishte një alarm i madh për Partinë Demokratike. E krijuar si një parti që sillet rreth një njeriu, pa asnjë rregull dhe standard karriere, pa asnjë rregull loje dhe sistem vlerash, ajo do shkërmoqej në luftërat banale të atyre që do mbeteshin gjallë dhe do bëhej hi pas më pak se një viti.
Nëse do të ndodhë e njëjta fatkeqësi (nuk dua t’ia ndjell) pronarit të TV Klanit, Aleksandër Frangaj, gjithçka do të stopojë. Godinat e marra me letra e pa letra do kthehen në problem, TV që është mësuar vetëm të shkojë pas pushtetit, do çorientohet, mungesa e sistemit të vlerave do brejë gërmadhat që do lërë pas dhe do rrënohet.
Për ta çuar në ekstrem këtë shembull, po e ilustroj dhe me gazetën Tema. E mbetur në vështirësi financiare dhe e riorientuar drejt kriticizmit, ajo siguron lexueshmërinë dhe mbijetesën prej meje dhe ekipit të vogël të gazetarëve që punojnë aty. Nëse njerëzit e Shkëlzenit do më gjenin brenda në makinë kur i vunë zjarrin, tani dhe mund të mos ekzistonte si gazetë.
Kjo gjë nuk ndodhi me Dritan Hoxhën. Ai iku nga kjo botë, por asgjë nuk ndodhi me atë çfarë ai kishte ndërtuar. Top Channel pesë vjet më pas vazhdon të mbetet televizioni më i madh i historisë së Shqipërisë, Digitalb rrjeti më i madhi transmetimeve dhe politikat profesionale të televizionit nuk janë rrënuar. Ato kanë luhatjet e tyre, por ia kanë dalë të konkurrojnë larg dhe përballë pushtetit, që prodhon mungesë konkurrence dhe mungesë të lirisë ekonomike e lirisë së shtypit.
Këtë gjë e kanë bërë pak shqiptarë. Ka plot shqiptarë që kanë bërë gjëra të mëdha duke qenë të gjallë, kanë arritur të sundojnë dhe triumfojnë, por gjithçka ka ikur bashkë me ta. Nëse ka një vlerë që i mbetet Dritan Hoxhës, është fakti që ai ka ndërtuar për herë të parë një institucion mediatik në Shqipëri, që funksionon dhe pa atë, edhe pa pushtetin, bile ndonjë herë dhe me njerëz krejt të zakonshëm në krye të tij.
Ky identitet i vë kapakun çdo diskutimi për të. Unë e di që në këtë pesë vjetor, janë normale lotët e fëmijëve të tij apo kujtimet e miqve, glorifikimi dhe akuzat ndaj tij, është normale ti kujtohen të mira e të këqija që ka çdo njeri i vdekshëm. Por askush nga ne, që kemi ndërtuar medie në këtë vend, dhe që punojmë në medie, bile as ndonjë investitor tjetër në fusha të tjera, nuk ka ndodhur të bëjë një institucion që funksionon dhe mbijeton pa të. Të tjerat janë detaje që nuk vlejnë. Mos tu vijë turp të thoni që nuk ishte burrë perfekt si shumë nga ne, që kishte pasionet e veta, që shkonte uikendeve në kazino apo ngiste makina të shtrenjta. Çkuptim ka të shpikim një Dritan tjetër si duhej të ishte për ne. Po të kishte mendjen tonë, ai do pillte dështimin tonë.
Dokumentari për Tanin ishte plot elozhe dhe glorifikime dhe rrëfimet e miqve të tij ishin të retushuara nga dëshira për të treguar një njeri pa cene. I mirëkuptoj ata dhe kompleksin që kanë duke dashur të na tregojnë një Dritan që ata kanë ëndërruar. Po të ishte gjallë Tani, e ti shihte çfarë kishin thënë për të, me siguri do rrihej me ta dhe nuk do linte fjalë të fundit pa u thënë. Se ai nuk konkurronte si njeri i pavërtetë. Po të kish konkurruar ashtu, nuk do tia kishte dalë të linte në këmbë një institucion të vërtetë. Ndaj kush sikletoset nga veset e tij, ashtu si dhe nga virtytet, bën mirë mos ta zërë në gojë se e vë në siklet aty ku është. Të gjallët duket sikur flasin për hallet e tyre kur flasin për të. Ai bëri një gjë të vërtetë, që mbijeton se ishte i vërtetë, dhe po na mund të gjithëve si i tillë, edhe i vdekur!
