FOTO REPORTAZH/ Nis të marrë formë sheshi i ri në Shkup
Një shesh, në mes të të cilit ndodhet një statujë gjigande prej 29 metrash e mbretit Filip të Maqedonisë, ka nisur të marrë formën përfundimtare në qendër të Shkupit.
BIRN sjell një foto reportazh nga sheshi në fjalë.
Statuja e Filipit është në mes të një kompleksi të ri me katër shatërvanë, pjesë e projektit Shkupi 2014.
Synimi është që të tregohet historia e familjes së Filipit dhe mënyra se si u edukua djali i tij, Aleksandri i Madh.
Poshtë statujës gjigande të Filipit është një tjetër statujë e tij, me djalin përdore, ndërkohë që pranë është edhe nëna e Aleksandrit, Olimpia.
Në një tjetër shatërvan janë skalitur disa nëna, që mbajnë fëmijët e porsalindur. Këta supozohet se janë fëmijët që do jenë pjesë e ushtrisë së Filipit.
Një tjetër statujë gjigande e Aleksandrit ndodhet në krahun tjetër të Shkupit.
Autoritetet thonë se në total kanë shpenzuar 9 milion euro për këtë shesh të ri.
Statujat e Aleksandrit dhe Filipit nuk kanë emra, por supozohet se janë ata. Greqia është në konflikt me Maqedoninë për këtë çështje, pasi ajo pretendon se Filipi dhe Aleksandri janë heronj grekë./ep








