Kreditë studentore
Nga Kristal Hykaj
Marr shkas për këtë shkrim duke qenë se shikoj tek studentët e mi një ndrydhje kur përmenden tarifat shkollore, problem i familjes për momentin, por ju duhet reklamuar që është edhe kjo zgjidhje.
Disa banka tregtare, këtë vit do të ofrojnë kredi me interesa të ulta deri në 6%, për të gjithë studentët që mësojnë në të gjithë vendin, duke iu dhënë mundësi të përballojnë shpenzimet dhe kostot e shkollës. Burime nga bankat bëjnë të ditur se, shuma e kredive studentore do të variojë nga 100 mijë deri në 1 milionë lekë dhe mënyra e shlyerjes do të përcaktohet duke marrë parasysh mundësinë e likuidimit nga ana e studentëve. Ndër të tjera kredia studentore do të aplikohet kundrejt lehtësirave proçeduriale, që përcaktojnë dorëzimin e dy-tre dokumentave ku përfshihet dhe ajo e statusit “student”.
Shuma që mund të përfitojnë studentët varet nga dëshira dhe mundësitë e shlyerjes. Nga procesi i kredidhënies në shuma të mëdha, janë të favorizuar studentët që kanë llogari bankare, apo ata që i kanë prindërit të punësuar në punë shteti apo biznes. Aplikimi i kredisë studentore është një tjetër risi e shërbimeve bankare në tregun vendas, që tregon për likuiditet dhe mirëkapitalizim të sistemit bankar shqiptar, ndonëse jemi në kushtet e krizës në eurozonë.
Reforma e financimit të universiteteve publike apo private në vend tashmë ka nisur të diskutohet në grupe të gjëra, si në institucionet e arsimit të lartë ashtu edhe nga përfaqësitë e studentëve. Ajo që dihet me siguri është se qeveria do të japë fonde shtetërore si për universitetet publike dhe ato private. Ndërkohë që kriteret se si do të ndahen fondet e grumbulluara nga taksapaguesit shqiptarë ende nuk janë të qarta per publikun. Ministria e Arsimit ka përgatitur një draft, ku sqaron me kapituj pjesët kryesore se si mendohet zbatimi i reformës së financimit të universiteteve. Më pas mbi këtë draft secili universitet do të punojë duke referuar sugjerimet e veta, mbi bazë argumentesh. Sipas parashikimeve, mendohet se një pjesë e universiteteve do të rrëzohen nga kjo reformë dhe kjo do të bëjë që shpërndarja e fondeve në institucionet e arsimit të lartë të mos jetë e njëjtë. Ndërkohë që tarifat shkollore në shtet do të rriten, në privat do të pësojnë ulje. Të gjitha këto janë parashikimet e ekspertëve të arsimit, të cilët kanë sqaruar në detaje se si do të zbatohet dhënia e kredisë për studentët e ardhshëm, që do të jenë pjesë e auditorëve menjëherë pas miratimit të kësaj reforme.
Është një draft i cili është botuar nga Ministria e Arsimit, i cili shpjegon se si do te funksionojnë këto kredi. Sipas draftit, të gjithë studentët, pa bursa, duhet të paguajnë tarifën e tyre të shkollimit dhe të sigurojnë kostot e jetesës gjatë studimeve. Qeveria shqiptare do të ndërtojë një sistem kredidhënie më anë të të cilit studentët mund të marrin kredi të buta për të paguar tarifat e tyre, ndoshta edhe një kontribut për kostot e jetesës. Të gjithë studentët që plotësojnë kushtet në institucionet e arsimit të lartë publike dhe jopublike, duhet të kenë të drejtën të marrin kredi studentore. Kjo do të realizohet deri në një shumë maksimale të përcaktuar. Shkalla e subvencionit të interesave, si dhe skema e kredidhënies, nëse do të realizohet nga banka të nivelit të dytë apo nga një agjenci publike, janë ende në shqyrtim.
Në rrethana të caktuara, qeveria mund të përgatitet të amnistojë një pjesë të kredisë ose të gjithën në rastet kur është e pamundur për arsye madhore shlyerja e kredisë, politika në mbështetje të punësimit në zona të thella rurale, sqaron drafti i Ministrisë së Arsimit.
Por si do te ndodhë shlyerja e kredisë?
Studentët do të fillojnë të shlyejnë kredinë e tyre brenda një ose dy vitesh që nga diplomimi i tyre. Afati apo shpejtësia me të cilën ata duhet të shlyejnë kredinë do të varet nga niveli i të ardhurave të gjithsecilit. Mënyra më e mirë për të identifikuar nivelin e të ardhurave dhe pagesën periodike të kredisë do të ishte sistemi i vetëdeklarimit dhe tatimit të të ardhurave personale. Studentët nga familjet me të ardhura të kufizuara do të kenë prioritet në marrjen e kredisë studentore në po të njëjtën mënyrë dhe kushte si të gjithë studentët e tjerë. Shlyerjet e kredive të tyre do të fillojnë vetëm pasi ata të nxjerrin të ardhura, duke mos ndikuar aspak në ekonominë familjare të tyre. Vendet e tjera që kanë zbatuar një skemë të tarifave dhe kredive studentore kanë konstatuar se nuk ka evidenca të reduktimit të pjesëmarrjes së studentëve nga familje me të ardhura të kufizuara, shkruhet në draft. Ndaj këtë shkrim po e shfrytëzoj për tju thënë nxënësve se ka mundësi të tjera fatmirësisht dhe nuk duhet ta shohin jetën me aq pesimizëm.
*Pedagog i Makroekonomisë, Fakulteti i Tiranës