Ajo që na shijon përgatitet në kushtet e mizerjes
Në qendër të Tiranës, në krah të Teatrit të Metropolit, gjendet Cirku Kombëtar. Sapo hyn nën hijen e çadrës, e ndjen veten në një vend të braktisur prej kohësh. Një dhomë e lartë ku drita hyn vetëm nga një dritare e vogël pas së cilës duket oborri i një kasolleje, të krijon përshtypjen se aty është vështirë të punojë apo jetojë dikush.
Sot ky është peizazhi i vendit ku punojnë mjeshtrit e Cirkut i cili qysh prej tre muajsh është bërë institucion kombëtar. Dhoma e madhe, e vetmja, duhet ta marrim me mend që shërben si palestër për akrobatët. Pjesa më e madhe e saj është e zënë nga vjetërsira, krevate të prishur, karrige të thyera, divane të copëtuara, lloj-lloje rrangullash, që edhe e sapopastruar të jetë, ajo vetëm e ndotur duket. Korridori në këtë pjesë të çon për tek çadra blu me shumë yje të pikturuar ku jepen shfaqjet. Këtu është arena. Brenda saj ulen çdo fundjavë shumë dashamirës të cirkut për të ndjekur vetëm apo bashkë me fëmijët e tyre shfaqjet që stafi prej 30 vetash i këtij cirku organizon.
Në arenë luhen numra të ndryshëm nga mjeshtër të mëdhenj po edhe të vegjël. Ai që i bashkon të gjithë këta artistë është pasioni që ata kanë për punën që bëjnë.
Cirki ka gjithsej 38 punonjës: 26 janë akrobatë dhe 5 orkestrantë. Pjesa tjetër janë sektori mbështetës, mekaniku, këpucari, kujdestari i kafshëve, pastruesja etj., të cilët për tre muaj kanë ngelur pa asnjë material për të punuar. Për artistët paga mesatare ka qenë 280 mijë lekë të vjetra. Por për herë të fundit janë paguar në muajin janar nga Bashkia e Tiranës.
Me statusin e ri kombëtar që ka marrë cirku, në bazë të ligjit të ri Për Artin dhe Kulturën, buxheti vjetor 2012 duhej të ishte si asnjëherë. Realiteti flet ndryshe. Punonjësit ndihen të mbajtur peng, nuk u është bërë i ditur asnjë lloj ndryshimi përfundimtar, dhe janë në pritje që ndërrimi i varësisë nga Bashkia e Tiranës te Ministria e Kulturës, të mos ngelet në letër por institucioni të përgjigjet për gjendjen ku është futur Cirku.
Në fund të prillit mbyllet për cirkun sezoni i shfaqjeve dimër-pranverë. Me ardhjen e muajve të ngrohtë do duhej që trupa të qarkullonte me shfaqje në vende turistike, në në mjedise të hapura e plazhe. Por kjo akrobatëve u duket ëndërr e largët. Sepse asnjë prej punonjësve që çdo ditë shkelin pragun e Cirkut, nuk dinë ende se si do ti vejë filli kësaj pune që spaguhet.
Shpresa e tyre është madhe. Këtë fundjavë ne i gjetëm pak më entuziastë. Në bisedat me ta, me gjysmë zëri thonë se Ministria e Kulturës së shpejti ka për tiu treguar që mendon për ta.
Si do ti vejë puna Pakut, Leas, Orillës?
Mirë punonjësit që mund ti kërkojnë vetë të drejtat e tyre nëse ia ndalin, po për kafshët e cirkut kush kujtohet? Ku jetojnë? Si ushqehen? Kush i kujdes? Vallë a do të ketë një si mbi këto kafshë të gjora i ashtuquajturi Cirk Kombëtar?
Në këtë mjedis të zymtë të pasarenës, kutërbon. Era e rëndë e mbytëse vjen prej kasolles që ndodhet ngjitur me palestrën. Sepse pjesëtar të këtij cirku nuk janë vetëm njerëzit por dhe kafshët që nuk mungojnë në asnjë shfaqje. Kafshët e cirkut janë dhjetë gjithsesj, dhjetë qen.
Te dera e kasolles shohim një burrë babaxhanë rreth të gjashtëdhjetave. Ky është Alush Lilani, mjeshtëri i cili përgatit kafshët për në shfaqje. Ka dyzet vjet që merret me këtë mjeshtëri. Por prej tre muajsh Alushit i kanë ardhur punët keq e mos më keq. Kafshët ashtu si gjithë artistët e cirkut duhet të stërviten çdo ditë, dhe përgatitja fizike është e përditshme. Kështu dhe Alushi përkujdeset për to në të gjitha drejtimet, i lan, i ushqen, u pastron vendin ku rrinë, i vaksinon kur duhet, u ndërton kafazet e çdo gjë tjetër që ato kanë nevojë. Paksa i hutuar që na shikon aty. Përzemërsisht na uron mirëseardhjen dhe na kërkon ndjesë për ambientin e rëndë dhe kushtet në të cilat e kemi gjetur. E teksa na shoqëron brenda për ti parë, thotë me njëfarë gëzimi të brendshëm se këto kafshë janë vetë jeta e tij. Shpesh njerëzit më thonë se komunikimi im me to është më i afërt sesa me njerëzit, thotë Lilani e në këtë moment i thërret në emër Xhufit. Xhufi quhet qeni për të cilin Liliani kujdeset prej tetë vitesh.
Brenda kasolles së qenve çdo gjë është sistemuar me rregull, hapësira është shfrytëzuar në maksimum, por prapë është ngushtë këtu. Gjithsej janë nëntë kafaze hekuri dhe druri që Lilani i ka bërë vetë dhe prej 6-vjetësh brenda tyre jetojnë vetëm dhjetë qen. Tre qentë më të vjetër janë Xhufi me motrën e vet Orillën, që janë binjakë, dhe pastaj janë Paku, Lea etj.. Dikur kam pasur dhe ari por për shkak të moshës, ishte tepër plak, e dërguam në kopshtin zoologjik, sjell ndërmend Lilani miqtë e tij të vjetër. Pavarësisht se këtu vend është i ngushtë edhe për këta qenushë, Lilani do tja gjente që çke me të një vend edhe një ariu. Vetëm Cirku Kombëtar të ketë mundësi ta blejë, sepse një ari vërtetë është i nevojshëm.
Para se të bëhej me dhjetë anëtarë, skuadra e qenve ka qenë vetëm me tre. Por Lilani dëshiron ti bëjë një skuadër futbolli. Me gjithë gjendjen ku cirku, mundësitë e kufizuara për ushqim, Lilani nuk heq dorë nga kjo ëndërr. Ai do të vazhdojë tua sjellë ushqimin nga shtëpia krijesave të tij, shpesh i vijnë në ndihmë dhe bëjnë të njëjtën gjë edhe kolegët e tjerë të Cirkut. Alush Lilanin e mërzit ky ritëm kaq i ngordhur pune: dy shfaqje në javë. Nuk është zgjidhje kjo, thotë mjeshtri i kafshëve. E prapëseprapë, këto ato ditë shfaqje, qentë duhet të jenë në formë dhe të ushqyer mirë. Ai hap frigoriferin të tërheqë ushqimin e drekës për skuadrën, dhe vëmë re se rezervat janë shumë të pakta: sallam dhe një supë e gatuar nga mjeshtri. Çdo mëngjes, në orën 06: 30 Lilanin e gjen të parin në ambientet e cirkut, sepse duhet të ushqejë kafshët përpara se të fillojë punën me to. E nëse ka mbaruar ose jo përgatitjet me ta, ai në orën 12:30 duhet ti kthejë në kafaze. Sepse ato janë të paushqyera siç duhet dhe puna me një të paushqyer bëhet mjaft e vështirë, madje e pamundur, thotë kujdestari.
Aspirata e qeverisë
Kryeministri Sali Berisha, e pas tij, ministri i Kulturës Aldo Bumçi, janë shprehur se Cirku tashmë një është një institucion kombëtar dhe për këtë do të marrë të gjithë mbështetjen e duhur shtetërore, në mënyrë që të mund të kapë nivele të reja e cilësore.
Në 2 shkurt 2012 përfundimisht ciku u shkëput nga varësia e Bashkisë së Tiranës. Krijimi i Cirkut Kombëtar mbështetet në Ligjin Për Artin dhe Kulturën. Cirku Kombëtar është parashikuar si një institucion qendror i grupit të dytë, në varësi të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Si institucion i veçantë në llojin e tij, Cirku mbështetet nga sektori artistik, i cili do të ketë në përbërje 30 artistë, sektori i teknikës dhe sektori i shërbimeve mbështetëse, që do të kenë në total 8 punonjës.
Fatos Roshi, drejtor i përkohshëm
Ndryshe nga punonjësit e tjerë, Fatos Roshi flet me optimizëm, madje sipas tij e ardhmja e afërt do të ndryshojë shumë gjëra. Të paktën financiarisht. Roshi thotë se ka marrë miratimin nga ministria e Kulturës për një buxhet të kënaqshëm që do të përmirësojë edhe pagat e punonjësve. Ne pagat i morëm, paga shumë më të mira seç na ka dhënë më parë bashkia. Presim që me implementimin e këtyre pagave ti japim një hov cilësor këtij arti. Dhe me këtë çadër të lëvizim nëpër vendet turistike të vendit, thotë drejtori i përkohshëm. Gjatë fundjavës trupën e gjen me shfaqje në arenë. Gjatë javës ndodh që japin shfaqje nëpër shkollat e Tiranës. Një buxhet i ri do të kërkoj edhe një program tjetër shfaqje
