E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akademia e Policisë, testimi më 10 korrik

 

Policia e Shtetit lajmëron aplikantët për procedurat e testimit për të fituar të drejtën e studimit në Akademi

Dokumentet që duhet të kenë me vete aplikantët. Mbi 1 mijë konkurrues për 150 vende

TIRANË- Kandidatët që kanë aplikuar për të ndjekur studimet për “Patrullën e Përgjithshme” pranë Akademisë së Policisë “Arben Zylyftari” në Tiranë, do të përballen me testimin me shkrim më datë 10 korrik. Policia e Shtetit bëri të ditur dje se më datën 10 korrik do të zhvillohet testimi me shkrim për 1.049 kandidatë që kanë aplikuar për të ndjekur studimet në Akademinë e Policisë, ku vetëm 150 prej tyre do të kualifikohen. “Testimi do të zhvillohet në ambientet e Pallatit të Kongreseve në Tiranë. Kandidatët duhet të paraqiten në orën 07.30 të datës 10 korrik dhe duhet të kenë me vete fletën e pranimit në testin me shkrim, dokument i cili u është dhënë në momentin e regjistrimit nga zyrat e personelit të drejtorive të policisë në qarqe”,- thuhej në deklaratën e policisë së shtetit lëshuar ditën e djeshme.

Testimi

Kandidatët për të studiuar në Akademinë e Policisëduhet të kenë me vete, ditën e testimit me shkrim kodin e aplikimit, i cili do të përdoret si numër identifikimi. “Kandidatët duhet të paraqiten në Drejtoritë e Policisë në Qarqe, ku kanë bërë regjistrimin për të marrë Kodin e Aplikimit, i cili do të përdoret si numër identifikimi gjatë konkursit. Listat me kodin e aplikimit do të afishohen pranë të gjitha drejtorive të policisë. Pretendentët për studentë në akademinë e policisë do të përballen me testin me shkrim , i cili do të jetë i ndërtuar kryesisht në formën e pyetjeve me përgjigje alternative. Korrigjimi i testit do të realizohet me skaner, duke mundësuar përcaktimin e kandidatëve fitues brenda ditës dhe në prani të kandidatëve”,- thuhej në deklaratën e Policisë së Shtetit.

Fituesit

Fituesit e testimeve do t’i nënshtrohen një trajnimi policor bazë 20 javor, pranë Akademisë së Policisë "Arben Zylyftari". Gjatë trajnimit bazë policor, aplikantët do të trajnohen për të përmbushur të gjitha detyrat e një punonjësi policie, duke përfshirë patrullimin parandalues, hetimin paraprak të krimeve, kontrollin dhe zbatimin e rregullave të qarkullimit rrugor, policimin në komunitet dhe zbatimin e strategjive bashkëkohore të zbatimit të ligjit. Ky trajnim do të ndiqet nga një trajnim 20-javor në terren gjatë të cilit punonjësit e policisë do të zhvillojnë dhe përmirësojnë aftësitë e marra në shkollën policore. Pasi do të punojnë në “Patrullën e Përgjithshme” për dy vite të detyrueshme, ata do të kenë mundësi për të konkurruar për t'u ngritur deri në gradat më të larta të Policisë së Shtetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›