E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti për shkeljet në Sarandë, në prokurori

 

TIRANË- Prokuroria e Përgjithshëm merr në shqyrtim raportin e kontrollit të inspektorëve të Ministrisë së Drejtësisë, në Prokurorinë e Sarandës, ku janë zbuluar një sërë shkeljesh procedurale nga drejtuesi i këtij institucioni. Sipas burimeve zyrtare pranë organit qendror të akuzës, në raportin e përpiluar nga inspektorët e dikasterit të drejtësisë thuhet se në këtë institucion janë kryer një sërë shkeljesh procedurale, si në rastet e mosfillimit të hetimit, vlerësimit dhe kërkesave për masat e sigurisë, masat e dënimit të kërkuara nga prokuroria më pak se minimumi i parashikuar në ligj. Pas njohjes me këtë raport mësohet se Prokuroria e Përgjithshme ka ndërmarrë iniciativën e lirimit të tij nga detyra e shefit të prokurorisë së Rrethit Sarandë, duke e ulur në detyrë. Sipas burimeve nga organi qendror i akuzës, mësohet se raportin e Ministrisë së Drejtësisë mbi kontrollin e ushtruar në Prokurorin e Rrethit Sarandë tashmë e ka marrë në duar Drejtoria e Inspektimit dhe Personelit, e cila do ta shqyrtojë për të nxjerrë vlerësimet, se qëndrojnë apo jo këto shkelje të evidentuara nga Ministria e Drejtësisë. Gjithashtu, thuhet se kjo drejtori pas njohjes me materialin ia ka kaluar një kopje prokurorit për të dhënë argumentet e tij në lidhje me shkeljet e pretenduara nga inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›