E Martë, 3 Nëntor 2026

Akademia e Sigurisë në portalin “UAlbania” – 100 kuota studimi në Fakultetin e Sigurisë

Akademia e Sigurisë do të jetë pjesë e aplikimeve të maturantëve në portalin “UAlbania” për ndjekjen e studimeve të larta. Kjo do të jetë një urë lidhëse mes maturantëve dhe botës akademike, ky portal do të ofrojë këtë vit mundësinë për aplikim për t’u pranuar në programin e ciklit të parë “bachelor” edhe në Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit.

Për të gjithë të rinjtë, që do të zgjedhin Akademinë e Sigurisë dhe do të nisin rrugën për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit, do të ketë në dispozicion 100 kuota të lira. Në përfundim të studimeve trevjeçare në Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit, të diplomuarit do të marrin gradën “nënkomisar” dhe do të shërbejnë në strukturat e Policisë së Shtetit.

Për Drejtorin e Përgjithshëm te Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullakun ky është një hap i rëndësishëm.

“Integrimi i vazhdueshëm i Akademisë së Sigurisë me botën universitare dhe atë akademike do të sjellë një mundësi më shumë për maturantët, të cilët i ftoj të bëhen pjesë e Policisë së Shtetit, duke aplikuar për të ndjekur studimet e larta, me programe cilësore dhe staf të kualifikuar mësimdhënës. Ky hap do të garantojë në të ardhmen rritjen profesionale të trupës së policisë, si një premisë e rëndësishme për garantimin e rendit e sigurisë publike dhe parandalimin e goditjen e krimit”, shkruan Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku.

Akademia e Sigurisë është akredituar si institucion i arsimit të lartë nga Bordi i Akreditimit të Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë, me dy njësitë kryesore të saj: Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit, si dhe Kolegjin Profesional të Formimit Policor.

/RTSH/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›