E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akciza si taksë private e qeveritarëve

Oltion Rrumbullaku

15 dhjetori i vitit 2010 ishte dita kur shqiptarët mundën të hynin pa viza në Europë dhe në të njëjtën datë, qeveria fshehtazi miratonte koncesionarin abuziv privat për pullat fiskale (kërko artikullin Pullat fiskale dixhitale, një tjetër koncesion abuziv?, Shekulli, 19 dhjetor 2010). Po ashtu, një tjetër vendim qeverie kishte dalë në ditët e fundit të qeverisë Berisha, në vitin 2009. Në 24 maj 2012 ndodhi e njëjta gjë. Sytë e të gjithë shqiptarëve që shqetësohen për të ardhmen e vendit, që kërkojnë një president dinjitoz dhe gardian të Kushtetutës, ishin drejt Parlamentit dhe diskutimeve për presidentin. Çfarë ndodhi? Shumëkush nuk vërejti që Parlamenti atë ditë miratoi në një mënyrë të përshpejtuar ligjin për akcizën dhe me gjasë në shkelje të rregullave parlamentare. Ligji i akcizës dhe zbatimi i akcizës në Shqipëri është bërë një çështje private e disa biznesmenëve që janë pranë qeverisë. Ashtu si koncesioni për kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike, që rrjep çdo vit rreth 40 milionë ruro nga xhepat e shqiptarëve për disa dokumente që kushtojnë rreth 10 herë më lirë, edhe ligji i akcizës, si askund tjetër në Evropë, sanksionon një koncesion privat mu në zemër të ligjit dhe e kthen ligjin në një shërbyes të një biznesi që do përfitojë çdo vit mbi 10 milionë euro si dhuratë nga Ministria e Financave të një shteti, i cili i përdor taksat publike për të gjeneruar përfitime private. Çfarë do përfitojë koncesioni dhe çfarë humb qeveria? Ministria e Financave humb çmimin e pullave fiskale që emetonte vetë duke filluar që nga marsi i këtij viti. Nëse merrte 2.5 lekë nga çdo pullë e pijeve alkoolike, tashmë nuk merr asnjë lek, por i hap rrugën koncesionarit të marrë gati 5 lekë për çdo pullë. Nëse Ministria e Financave merrte 1 lek nga çdo pullë e cigareve, tashmë koncesionari do marrë gati 3 lekë për çdo pullë. Financat e shtetit po tregohen shumë bujare në këto kohë kur të ardhurat fiskale janë gjithmonë e më pak. Heqin dorë nga disa milion euro që një kompani private të fitojë 2-3 herë më shumë. Kjo realizohet në një formë që zbatohet me shumë pak shtete në botë, asnjë prej tyre pjesë e Bashkimit Evropian. Ministria e justifikon nevojën për ligj të ri me direktivat e BE-së për akcizën dhe produktet që taksohen me akcizë. Në fakt, ajo që e ofron më shumë ligjin me BE-në është fakti që koncesionari i kërkon në mënyrë të padiskutueshme të gjithë pagesat vetëm në euro. Kjo është çudia e radhës, që ligji i ndryshuar ekzistues i akcizës dhe ligji i ri e lejon hapur. Jo vetëm koncesionari fiton në mënyrë komode 20 euro për 1 mijë pulla cigare, 32 euro për 1 mijë pulla të pijeve alkoolike dhe 22 euro për 1 mijë pulla (kod sigurie) për birrën, por i kërkon pagesat në euro dhe i mbrojtur në çdo kohë nga kursi i këmbimit të lekut me euron. Nga ana tjetër, ligji ka ndryshime kozmetike që synojnë vetëm përqendrimin e procesit të mbledhjes së akcizës në doganat shqiptare dhe nxjerr jashtë loje krejtësisht administratën tatimore. Direktivat specifike për duhanet (2011/64/EU), për pijet alkoolike ( 92/83/EEC), dhe për energjinë (2003/96/EC) nuk janë përfshirë në një përmasë të konsiderueshme, meqenëse synimi i ligjit qëndron gjetkë. Siç përmenda shkarazi pak më lart, ky ligj e kthen akcizën në një taksë që administrohet nga sistemi doganor. Dhe ky ndryshim është kundër frymës tatimore që ka legjislacioni tatimor shqiptar dhe legjislacioni evropian ku dëshirojmë të integrohemi. I hiqet një tatim i rëndësishëm administrimit të brendshëm fiskal, duke e centralizuar në sistemin doganor. Doganat futen dhe më thellë brenda vendit për të mbledhur të ardhurat e tyre jashtë konceptit të tyre bazë si njësi hyrje të vlerave në territorin shqiptar. Biznesi ankohet për TVSH-në që paguan në doganë dhe tashmë shoqëritë tregtare që tregtojnë mallra akcize duhet të merren sërish vetëm me doganat për këto furnizime të akcizës. Një hap mbrapa në administrimin fiskal.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›