Një trilogji e vogël impotence
Dorian Metlija
21 janar pa viktima
Kjo e enjte solli në vëmendjen mediatike 21 janarin e vrasjeve të bulevardit. Më në fund, dosja e qepur kundër gardistëve ra në duart e togave të zeza. Prej kohësh, dosja kishte arritur tu mbahej sekret me sukses edhe familjarëve të viktimave, të cilët kishin besuar se do u jepej informacion. Prokuroria nuk denjoi ti njoftonte ata as për dorëzimin e dosjes në gjykatë dhe as për datën e orën e caktuar. Fundja, ata që kërkonin informacion ishin të pafuqishëm. Kishin në dorë vetëm një ligj, i cili për nga zbatueshmëria, konkurron me atë të ndalimit të tymosjes në ambiente publike. Ja, le të themi që kishin në dorë edhe ca nene të Kodit të Procedurës Penale. Por përsëri nuk morën vesh asgjë. Duke mos e pasur idenë, ata nuk patën dot as mundësinë të vinin e të paraqisnin me dinjitet padinë civile në procesin penal. Madje, avokatëve të tyre iu sul gjysma e efektivit policor të gjykatës për ti nxjerrë përjashta, me pretendimin se nuk kishte karrige në sallë Shkurt, pak prokuroria dhe pak policia, kontribuuan që 21 janari të krasitej nga viktimat. Kështu, gjykata do të ketë mundësi të zhvillojë një proces gjyqësor të rehatshëm, pa viktimat dhe avokatët e bezdisshëm që përmendin nene prej muzeu.
21 janar me finokë
Nenet prej muzeu duken vërtet si të pluhurosur nga mospërdorimi, por kësaj radhe arritën të sjellin dhe prokurorinë para gjykatës, tashmë si një palë e paditur. Që prej marsit të vitit të kaluar e deri të enjten e fundit, familjarët e viktimave të 21 janarit nuk kanë reshtur me kërkesat e tyre për tu informuar. Në fillim, dosja ishte tërësisht sekret. Por më vonë, pasi iu komunikua akuza të pandehurit të parë, A. Llupo, dosja nuk mund të ishte e tëra sekret, por vetëm pjesë të veçanta të saj. Të paktën kështu thotë një prej atyre neneve të pluhurosur. Megjithatë, prokuroria gjeti një zgjidhje më gjeniale, atë të mosardhjes fare në gjyq. Për afro 10 seanca, prokuroria nuk erdhi as të shihte fytyrat e familjarëve të viktimave të 21 janarit. Strategjia ishte precize: Të shtyhej ky minigjyq deri sa të mbaronin hetimet dhe të dorëzohej dosja në gjykatë dhe pastaj të thoshin që nuk e përmbushnin dot më kërkesën. Taktikë prej finoku. Të zgjuar, por edhe impotentë për tu dalë zot detyrimeve ligjore.
21 janar me borxhlinj
Organet e procedimit nuk janë gjithmonë kaq të ngathët. Ka raste kur të shkulin dhëmbët. Këtë kalibër prej dentisti tregoi edhe gjykata civile këtë javë kundër një prej familjarëve të viktimave të 21 janarit, Zabit Deda, vëllai i të ndjerit Hekuran Deda. Ky u padit nga shtetasi F.S. për shpifje, duke i kërkuar 5 milionë lekë dëmshpërblim për një deklaratë se ai burri tjetër me iniciale F.S. kishte tentuar të bënte një marrëveshje që në familjen e të ndjerit Hekuran Deda të pritej kryeministri për vizitë, dhe kjo të bëhej në shkëmbim të ca parave. Gjykata e nisi dhe e bitisi menjëherë këtë proces dhe arriti nw përfundimin se Zabit Deda ka shpifur. Tashmë, një prej familjarëve të viktimave të 21 janarit është edhe borxhli tek një prej gardistëve. Drejtësisë i funksionuan levat. Por përsëri, edhe këtu ka diçka që nuk shkon. Borxhliu më i ri në qytet doli përmes një procesi, ku nuk u zhvillua një hetim i plotë. Në dosje nuk rezulton të jetë marrë në analizë ndonjë element i rëndësishëm. Për shembull, do të mjaftonin ndoshta disa tabulate telefoni. Teknologjia e sotme mundëson përcaktimin e pozicionit të përafërt të çdo telefonuesi. Kjo lloj teknike do ti jepte përgjigje pyetjes kureshtare nëse shtetasi F.S. kishte kaluar apo jo në afërsi të shtëpisë së Zabit Dedës etj. Mënyra ka plot, por dosja e gjykatës është bosh, duke shënuar një hetim gjyqësor impotent. Përmbledhtazi dikush më tha: E çpret, punë shteti po bëjnë