Akcizat, 150 milionë USD më shumë, rriten vetëm karburantet
Të ardhurat nga akciza do të zënë mbi 3.6 për qind të prodhimit kombëtar bruto, duke kaluar me mbi 14 miliardë lekë vlerën e akcizave të arkëtuara vitin e kaluar. Për dy muajt e parë të këtij viti, vlera e të ardhurave nga akciza është mbi 3 miliardë lekë, duke qenë pothuajse brenda pritshmërive, thonë të dhëna zyrtare. Vitin e kaluar, vlera e arkëtimeve nga akciza ka qenë rreth 2.5 miliardë lekë. Ajo që vihet re në arkëtimet që shkojnë në buxhetin e shtetit prej akcizës është fakti se, vetëm karburantet kanë rritur në mënyrë të dukshme sasinë e zhdoganimeve ndërsa cigaret, kafeja dhe pijet alkoolike kanë qenë thuajse në të njëjtin ritëm. Rritja e madhe që parashikohet këtë vit në të ardhurat e akcizës është më së shumti pasojë e rritjes së kësaj takse (akcizës). Në fund të këtij viti është parashikuar që të ardhurat nga akciza të çojnë në buxhetin e shtetit një vlerë parash prej mbi 38 miliardë lekësh, çka do të thotë mbi njëqind e pesëdhjetë milionë dollarë më shumë sesa vjet. Vitin e shkuar, sa i takon vlerës së mallrave të zhdoganuar, karburanatet ishin ato që pësuan rritjen më të lartë sesa viti 2006. Madje, në disa muaj u vu re dukshëm rritja e karburanteve, si për shembull në muajin gusht, kur vendi kishte mungesë të madhe të energjisë elektrike, ku vlera totale e akcizës së arkëtuar arriti në mbi 2.1 miliardë lekë nga rreth 1.7 miliardë që ishte një muaj më parë. Qeveria shqiptare i ka rritur akcizat çdo vit dhe parashikon që ato të rriten edhe vitin që vjen. Më së shumti, kjo është arsyetuar me faktin se në vendet e rajonit vlera e akcizës është më e madhe sesa në Shqipëri. Në të vërtetë, akciza është taksa që ka mbuluar më së miri rënien e të ardhurave që do të vijë dhe që ka ardhur vitin që shkoi, për shkak të uljes së tatimit mbi fitimin dhe taksës së punës. Qeveria shqiptare do të marrë nga akciza këtë vit mbi 150 milionë dollarë më shumë sesa vjet, në një kohë që sasia e mallrave që do të hyjnë në dogana, me përjashtim të karburanteve do të jetë në nivel të njëjtë. Për shkak të evazionit të lartë fiskal në këtë sketor (akcizat), qeveria dhe administrata e doganave në vitin 2005 arritën të zhdoganojnë vetem në pjesën e dytë të atij viti një sasi kafeje që i kalonte zhdoganimet e mëparshme gjatë një viti. Po ashtu, edhe në cigare dhe në karburante sasitë e zhdoganuara kanë qenë të larta në krahasim me vitet para se kjo administratë të vinte në pushtet. Ndërkohë, rritja nuk ka vijuar më me ato ritme në vitin 2007 dhe po në këto nivele parashikohet edhe këtë vit.